AlbanianSport.com 02/01/2018 14:55
ASNN – Shpërthen Skënder Gega: “Po na djegin flamurin në çdo stadium të Ballkanit e s’po dënohet asnjë skuadër, institucionet tona inferiore”. Partizani humbi me Skënderbeun të hënën me shifrat 0-2, duke zbritur në vend të dytë dhe duke u parakaluar pikërisht nga korçarët që morën vendin e parë e tani ndodhen në kuotën e 23 pikëve, kundrejt 22 të “Demave të kuq”. Në konferencën e sotme për shtyp trajneri i Partizanit Skënder Gega analizoi me detaje gjendjen e grupit.
Por edhe pozitat e skuadrës në renditje, kalendarin dhe duelin e radhës ndaj Kamzës, një derbi me skuadrën nga periferia e kryeqytetit. Por më shumë se komentet e pragndeshjes, trajneri i të kuqve tërhoqi vëmendjen sot nga deklaratat e bujshme mbi dënimin e Partizanit nga Komisioni i Disiplinës i FSHF-së, me dy ndeshje pa tifozë, një vendim, sipas Gegës, absurd, përderisa në stadiumet e vendeve fqinje të Greqisë dhe Serbisë po digjet përditë flamuri shqiptar dhe federatat e këtyre vendeve nuk dënojnë asnjë klub.
Sipas Gegës, kjo është shenjë inferioriteti nga institucionet tona, duke “shigjetuar” kështu Federatën Shqiptare të Futbollit. “Ndihem keq, – tha Gega në konferencën për shtyp, – sepse është dënuar një grup, por gjithë sportdashësit, edhe një person që e kishte menduar që të vijë me familje. E shoh të paarsyeshme që të dënohet një tifozeri e tërë, është një humbje e madhe. Lojtari i 12-të janë ata dhe ne e ndjejmë. Sapo dalim në fushë shohim se ku është pjesa jonë më e rëndësishme.”
“Perceptimet janë të ndryshme dhe unë nuk mund të ndërhyj, – vijoi trajneri i Partizanit Skënder Gega, – por them se shqiptarët ose institucionet tona janë inferiore dhe ulin kokën para gjërave që ndodhin karshi fqinjëve tonë. Të gjithë e shohim se çfarë ndodh në futbollin në Ballkan se si na digjet flamuri dhe si na ofendojnë dhe s’kam dëgjuar se është dënuar fusha në Greqi ose në Serbi. Është mendimi i tyre, por them se është i gabuar dhe na kanë dënuar dhe na kanë hequr një pjesë shumë të rëndësishme.”
Sa për renditjen, pikët dhe duelet e radhës, Gega u kujtoi të gjithëve se Partizani është në formë të mirë, brenda objektivave dhe diferenca me një pikë kundrejt Skënderbeut nuk është shqetësuese. Për të ka rëndësi ndeshja e radhës, ku objektivi i Partizanit është trepikëshi.