AlbanianSport.com 24/10/2018 15:25
ASNN – Tashmë Xhenaro Gatuzo ka mbetur i vetëm. Për herë të parë që kur kanë ardhur drejtuesit e rinj, trajneri i kuqezinjve nuk është më i sigurt në stol. Nuk jemi ende në pikën kulmore, por është e qartë se derbi ka hapur një hendek midis “Rinos”, drejtuesve dhe tiofozëve.
Në fillim komunikata e tifozëve ultras me akuzat ndaj trajnerit dhe skuadrës. Më pas Maldini si asnjë në “Milanelo”. Gabimet e bëra nga Gatuzo në derbi, nuk mund të kalonin pa u vënë re. Kutrone lojtar krahu, Bakajoko në mesfushë apo Abate në minutat e fundit, të gjitha këto zgjedhje tregojnë sa pak i qartë është Gatuzo në momentet më delikate të ndeshjes.
Milani nuk mund të lejojë që të rritet një trajner, duke fituar eksperiencë, me ekipin e parë. E duket se Leonardo e Maldini, janë duke qarë faktin se pse nuk këmbëngulën që Konte të vinte që këtë verë në drejtim. Përveç gabimeve të tjera gjatë këtij kampionati, derbi duket se ishte kulmi.
Se çfarë do të ndodhë tashmë është e vështirë të thuhet. Sigurisht që ndeshja në Ligën e Evropës kundër Real Betisit dhe në kampionat kundër Sampdorias kanë një peshë që nuk duhet nënvlerësuar. Nuk ka vend për gabime. E Gatuzo këtë e di.