AlbanianSport.com 05/01/2018 14:25
ASNN – Gjatë vitit 2018, Igli Tare u nderua me çmimin “Scouting Leader” (Zbuluesit të talenteve), për rolin e tij në gjetjen dhe promovimin e talenteve si drejtor sportiv i Lacios në Serie A italiane. Madje për Taren kanë shkruar media të mëdha evropiane për një menaxhim të shkëlqyer të Lacios në 10 vjetët e fundit, duke qenë ndër drejtorët më të suksesshëm sportivë në rangun e klubeve të futbollit në Itali.
Së fundmi vjen dhe një lajm i mirë për shqiptarin. Presidenti i klubit të Lacios, Klaudio Lotito, ka vendosur që t’i zgjasë kontratën “labit” edhe për dy vite, pra deri në fund të vitit 2020. Këtë informacion e servir e përditshmja më e madhe sportive në Itali, “Gazzetta Dello Sport”, e cila shkruan se kontrata e mëparshme ishte në përfundim e sipër dhe se kontrata e re është në prag të nënshkrimit nga të dy palët.
Igli Tare bëri plot 10 vjet që mban postin e drejtorit sportiv të Lacios, një detyrë që ai e ka realizuar me sukses, duke marrë në treg lojtarë të panjohur e me shifra fare modeste financiare, për t’i shndërruar në yje të futbollit që vlejnë me dhjetëra miliona euro, siç ndodh me Sergej Milinkoviç-Saviç, Felipe Anderson, De Vrij, Luis Alberto, etj., përfshi këtu dhe talentin e portës, shqiptarin Thomas Strakosha.
Pra Lotito nuk është zhgënjyer nga zgjedhja e tij dhe për shkak se i beson, vendosi t’i zgjasë Tares kontratën dhe për dy vitet në vazhdim. Tashmë, ish-sulmuesi i Kombëtares kuqezi do të ketë hapësirë të bëjë goditje të tjera të mëdha në merkato për të bardhekaltrit, ndërsa nuk kanë munguar edhe interesimet e klubeve më të mëdha italiane për ta pasur si drejtues sportive në radhët e tyre.