Gjergj Vyshka 03.11.2014 21:40
Analiza e Kategorisë së Parë në fokusin e Xhino Garganos: “Besëlidhja skuadra për t’u parë. Por mendoj si kandidat për Superioren Mamurrasin, nëse ndryshon trajner, dhe Tërbunin në Grupin A. Kurse në grupin B, Lushnjën për sa ka bërë sezonin e kaluar”. Ndodh rrallë që një trajner i huaj i futbollit, edhe pse jeton në Shqipëri e në mesin e Tiranës, të jetë aq i vëmendshëm për Kategorinë e Parë. E sheh në Peqin, e sheh në Kamëz, e sheh në “Selman Stërmasi”.
Që do të thotë se është kudo ku luhet Kategoria e Parë, ndërsa për javën e ardhshme ka planifikuar udhëtimin e tij në Kavajë, atje ku Besa do të presë Besëlidhjen. Fjala është për Xhino Garganon, që sezonin e kaluar ka drejtuar Tërbunin, ndërsa deri përpara disa javësh ishte ndihmëstrajner i Elbasanit. Është në pritje të një pankine. Por në analizën e tij, teksa ka parë Kamza-Mamurrasi 0-1, ka thënë: “Komplimentet e sinqerta për Kamzën, që dje ka bërë një ndeshje të madhe”.
“Një skuadër e vendosur mirë në fushën e lojës, me një mbrojtje shumë të mirë dhe me një superioritet në mesfushë, – ka vijuar italiani. – Përtej humbjes së pamerituar, që ka ardhur nga një gjykim “balerinësh”, meritonte thellësisht barazimin”. Por duke vazhduar në analizën e tij, Gargano është i mendimit se Besëlidhja është skuadra që duhet parë. “Besëlidhja vazhdon marshimin e saj, ndonëse është një skuadër që unë nuk e njoh”, – ka theksuar ish-trajneri i pukjanëve në analizën e ti.
“Tërbuni besoj se ka probleme, – ka thënë Gargano. – Mamurrasi luan keq dhe pa ide. Por problemi i tyre është se kanë një trajner të pazot. Te grupi B besoj se Butrinti është skuadër shumë interesante, por dhe Lushnja nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht se ndaj Dinamos ka luajtur keq. Të shtunën e ardhshme do të jem në Kavajë”. Duke vijuar më tutje, Gargano duket se është deri në një farë mase dakord me konkluzionin e trajnerit të Mamurrasit, Ylber Zani, për një fushë jo të mirë në Kamëz.
“Megjithatë, sipas idesë sime, presidenti i Mamurrasit ka kuptuar që trajneri që ka zgjedhur nuk është i zoti dhe këtë e dinë dhe lojtarët, – ka hamendësuar trajneri italian. – Jo vetëm kaq, por në pushim lojtarët janë ankuar tek shefi i klubit për keqvendosje taktike në fushë, sepse nuk e bëjnë në stërvitje. Pikërisht zgjedhjet taktike dhe probleme të tjera në lojë pengojnë Mamurrasin të ecin përpara. Sa për Dinamon e Shkumbinin, që do të luajnë së bashku të shtunën, mendoj se janë dy skuadra pa ide në lojë. Jo për t’u shpërndarë në idetë e mia.”
“Por Besëlidhja që ka marrë 13 pikë në 15 të mundshme do të thotë që duhet parë e duhet vlerësuar”, – ka shtuar ai. Por kur do të jetë në pankinë Gargano? Lidhur me këtë, ky i fundit ka deklaruar: “Unë shpresoj te dy skuadra në Kategorinë e Parë dhe një Ligën Superiore dhe shpresoj që brenda dhjetorit ta kem këtë mundësi”. Kush ngjitet në Superiore, një tjetër pyetje për Garganon. “Mamurrasi nëse ndryshon trajner dhe Tërbuni, por ata kanë probleme të brendshme. Mos harroni që Puka është një qytet i vogël dhe nuk besoj se e lënë të ngjitet në Superiore. Kurse tek grupi B, Lushnja për sa ka bërë dhe ka arritur kampionatin e kaluar, pavarësisht se u rrëzua një ligë më poshtë”.