AlbanianSport.com 23.01.2017 21:15
ASNN – Ai ishte i pari që kapërceu “ylberin”, nëse na lejohet ta përdorim si figurë letrare rrëzimin e kufirit të 100 milionë eurove të paguara për një lojtar futbollit. Por tani duket se qielli mund të jetë vërtetë kufiri për të. Sepse ky mund të jetë sezoni i fundit i Gareth Bejlit në Madrid. Në fakt, janë mediat spanjolle ato që shkruajnë se mesfushori uellsian mund të rikthehet në Britaninë e Madhe, aty ku bëri famë.
Sipas faqes sportive në Internet, “Don Balon”, Mançester Junajtid dhe Çellsi ia kanë vënë syrin futbollistit të përfaqësueses së Uellsit, për të cilin janë të gatshëm t’ia ofrojnë Realit të Madridit plot 200 milionë € gjatë merkatos së verës. Klubet nga Premier Liga thuhet se shpresojnë që ylli i Realit t’ju japë fund dëmtimeve dhe ta bëjnë atë të vetin, duke e bërë sërish futbollistin më të shtrenjtë në historinë e futbollit.
Gareth Bejli pati spikatuar teksa luante me Totenhemin, prej nga ishte transferuar në “Santiago Bernabeu”, duke e fituar dy herë Ligën e Kampionëve brenda tre vjetësh. Mirëpo, “Djajtë e Kuq” po e kërkojnë atë qe një kohë të gjatë, ndërsa tanimë yllin britanik e duan edhe në Londër. Ajo që është e sigurt, është se Reali nuk do ta lërë të shkojë edhe aq lirë. Prandaj, çështja qëndron tek paratë.