AlbanianSport.com 04/02/2019 15:40
ASNN – Futbollistët më të gjatë në botë gjatë sezonit 2018-2019, më i shkurtri është 2.03 m. Në lojën e futbollit ka rëndësi goli e për pasojë rezultati. Por në harkun e një loje që zgjat 90 minuta spektatori mund të ballafaqohet me një mori lëvizjesh, emocionesh, spektakli, imazhi, nervash, por edhe pamjesh, nga më befasueset. Pakkush interesohet, fjala vjen, për peshën trupore dhe shtatlartësinë e futbollistëve. Por jo, kur është fjala për shtatlartësinë ka prej atyre lojtarëve që tërheqin vëmendje.
Dhe e tërheqin këtë vëmendje jo për lojën që bëjnë sesa për gjatësinë trupore, e cila, në një mjedis ku ka shtatshkurtër e mesatarë bën diferencë të madhe dhe bie në sy. Kush janë futbollistët më të mëdhenj në botë? Kush janë lojtarët më të lartë të futbollit në botë? Kush janë lojtarët më të lartë në botë për edicionin 2018-2019? Edhe kjo statistikë fizike e futbollistëve është e verifikueshme dhe fatmirësisht më poshtë do të gjeni futbollistët më të gjatë që luajnë në fushat e blerta.
Automatikisht shumica e tifozëve do të mendojnë për Piter Krauç se është lojtari më i gjatë në fushat e lojës, por çuditërisht ai nuk bën pjesë në listën e “top-10” futbollistëve më të gjatë në botë. Në këtë listë do të jenë lojtarët që ndoshta lexuesit nuk kanë dëgjuar kurrë për ta, por AlbanianSport.com do t’ju ofrojë pak histori dhe gjithashtu do t’u tregojë se sa të gjatë janë realisht 10 lojtarët më të gjatë të këtij edicioni në futbollin botëror.
Nuk është ndonjë bukuri e madhe të shikosh në fushë lojtarë kaq të gjatë, pasi më shumë ngjajnë me basketbollistët dhe se në futboll njerëzit janë mësuar të shohin kryesisht lojtarë të shkurtër e mesatarë, ndërkohë që diferencën e bëjnë portierët, për shkak edhe të pozitës dhe rolit që kanë. Ky shkrim vjen në dy pjesë dhe sot është pjesa e dytë, ndërsa e para ishte dje.
…vijon nga dje
- Tor Hogne Aroi – 2.04 m
Me një lartësi prej 2.04 metër, ky djalosh vetëm eklipson këdo që i vihet përballë në fushën e lojës. Është e pamundur të mbulosh një futbollist kaq të gjatë. Në fakt, ai në fund të vitit 2018 vendosi të tërhiqet nga futbolli në moshën 38-vjeçare.
Duke i dhënë fund karrierës me skuadrën e njohur të Alesundit. Aroi kaloi shumicën e kohës në këtë klub dhe u kthye sërish për një sezon para se të vendosë të dalë në pension. Ai kaloi 10 vjet atje nga viti 2001 deri në vitin 2011 duke bërë afro 300 ndeshje.
- Jang Çangpeng – 2.05 m
Një kinez shumë i gjatë, i quajtur në vendin e tij edhe si “Piter Krauç” i Kinës. Çangpengu, një sulmues shumë i gjatë, humbi një muaj kot në Angli, me Bolton Uondërërs, në seanca prove. E megjithatë ai nuk arriti të linte gjurmë dhe nuk e pati shansin të firmosë me ndonjë klub anglez. Çangpengu e kaloi të gjithë karrierën e tij në Kinë, me klubet kineze.
Por, tanimë në moshën 26-vjeçare ende ka shpresë për shtatlartin kinez, një anomali në vendin e tij (ku shumica janë të shkurtër). Duke qenë shumë i gjatë, sado aftësi të ketë, ai e ka të vështirë të pranohet nga trajnerët e skuadrave elitare, megjithëse ai nuk e ka humbur besimin se edhe mund t’u duhet në ligën e parë angleze, ose në ndonjë skuadër elitare evropiane.
- Vanja Ivesa – 2.05 m
Ky është një lojtar përbindësh. Trupmadh dhe njëherësh i shkathtë në akrobaci. Ai është portier dhe i shkon shtatlartësia. Kroati Ivesa luan aktualisht për Opatijën. Ai ka pasur një karrierë shumë të gjatë futbollistike dhe tani në moshën 38-vjeçare është pranë pensionit.
Në shumicën e kohës ka luajtur si portier i Eshkisehirsporit në kampionatin turk. Në fakt, ai ka luajtur më shumë se 100 ndeshje me klubin e njohur turk, por fatkeqësia e tij është se nuk luajti asnjë ndeshje me fanellën e vendit të tij, Kroacisë, megjithëse pati një karrierë relativisht shumë të mirë. Kjo ka ardhur dhe për faktin se ka pasur rivalitet.
- Pol Millër – 2.07 m
Ky është futbollisti më shtatlartë në futbollin britanik. Ai është një lojtar skocez që luan aktualisht për ekipin e Elgin Sitit dhe qëndron thuajse 50 centimetër mbi lojtarët e tjerë që janë në fushën e lojës. Ka një ecuri të veçantë për këtë futbollist, pasi ai vjen nga Forcat Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar. Ai firmosi për skuadrën në fjalë në vitin 2010.
Aty ku spikati fillimisht në një duel miqësor. Ka qenë shtatlartësia e tij që i bëri përshtypje menaxherit i cili, i impresionuar nga paraqitja dhe trupi vigan, vendosi pa u menduar dy herë të nënshkruante një kontratë profesioniste me të. Millar ka pësuar një dëmtim në gju dhe u bë prej disa muajsh që nuk është aktivizuar.
- Kristof van Hout – 2.08 m
Ky është futbollisti më i shtatlartë në botë, i gjatë 2.08 m, shtatlartësi që do ta kishin zili edhe vetë basketbollistët. Për më tepër Kristof Van Hout është një lojtar profesionist. Është portier sigurisht, vetëm 28-vjeç dhe vijon të jetë aktiv në fushat e lojës. Për të ka lloj-lloj epitetesh.
Por ajo që i bashkon është se në katërkëndorin e portës ai është një gjigand që duket sikur e zë të gjithë portën me duart dhe lëvizjet e tij. Për sulmuesit kundërshtarë ai ka një pamje të rëndë, të frikshme, sepse është me të vërtetë shumë i madh. Aktualisht, futbollisti më i lartë në botë, Kristof Van Hout, është pjesë e klubit të “K.V.C. Vesterlo” në ligën e dytë të Belgjikës.