Nga Gëzim Sinemati* 01.12.2014 14:40
Pas asaj që ndodhi në Beograd, me zë të lartë i treguam botës se futbolli dhe dhuna nuk mund të bashkëjetojnë. Sapo kthehemi në kampionatin tonë, duket sikur morali ndryshon dhe dhuna shitet si një karakteristikë e lojës sonë. Kishim bërë një pakt harrese për 11 shtatorin në Shkodër, kur ranë “kullat” e moralit sportiv nga dhuna e disa tifozëve dhe… mbërrin shpejt anarkia në stadiumin e sapo inauguruar.
Nuk paskan qenë të vërteta, për llojin tonë, as fjalët e drejtuesit të Bajernit, Rumenige, kur u tha gazetarëve italianë se stadiumet e reja ndryshojnë edhe mënyrën e sjelljes kolektive. Ajo që ndodhi në Elbasan, nuk gjeti të papërgatitur vetëm policët, por edhe zyrtarët e futbollit, të cilët, edhe për këtë rast, nxorën nga sirtarët rregullin e vjetër të ndëshkimit kolektiv.
Dënim për njërën palë dhe ridënim për tifozërinë e Tiranës. Nuk mjafton kjo, por dhunën e konvertojnë edhe në para, për të treguar se sa të sinqertë kemi qenë, kur në akuzat ndaj Serbisë ironizonim se violenca nuk mund të ketë çmim në para. Apo kur flitet për Kombëtaren fluturojmë me krahët e shqiponjës, ndërsa kur kthehemi te hallet tona, nuk ka vend më për flamuj apo për ndjenjë patriotike.
Ky kampionat do të kujtohet edhe për sensin e shfrenuar të ndëshkimit kolektiv të tifozerive, edhe pse fajtorët e vërtetë demonstrojnë dukshëm anti-futbollin e tyre. Stadiumet e boshatisur janë një bast i fituar për ata që keqpërdorin futbollin dhe mjerë ata që besojnë se, me boshatisjen e stadiumeve, fusim frikën në masën e duhur, siç predikojnë dënuesit.
Një predikim që zbehet, kur kujton se lufta kundër dhunës së tifozëve, shërben edhe si maskë për të mbuluar imoralitetin e ndeshjeve në disa raste. Duket tepër interesant fakti se magneti i FSHF-së tërheq më shumë nga dhuna e tifozit, sesa nga dhuna e lojës hileqare. Një lloj dhune që frikëson më shumë se dhuna e dukshme. Sidomos kur kujton se, duke boshatisur shkallët, futbolli ka më shumë arsye të dalë nga kontrolli.
* Botohet me lejen e autorit dhe duke respektuar ekskluzivitetin kohor të së përditshmes më të madhe sportive në Shqipëri, “Panorama Sport”.
http://www.panorama-sport.com/opinion/futbolli-qe-fut-ne-qeli-publikun-e-vet/