AlbanianSport.com 04/03/2021 17:15
ASNN – Hakmerret brenda 18 orësh ndaj Danimarkës, e mund 3-2 në “ndeshjen e kthimit”. Shqipëria e futbollit të sallës ka korrur të enjten fitoren e saj të parë në grupin e saj në kuadër të fazës së dytë të Eliminatoreve të Evropianit të 2022-shit, duke mundur Danimarkën me rezultatin 3-2. Në fakt, përballja e zhvilluar pasdreke në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Tiranë, ishte ndeshja e kthimit midis këtyre dy skuadrave, teksa e para, e zhvilluar të mërkurën në mbrëmje ishte mbyllur me fitoren e danezëve me shifrat 3-1.
Takimi, i cili, me mirëkuptimin e të dy federatave të futbollit u luajt në kryeqytetin shqiptar për shkak të kufizimeve të udhëtimit për shkak të virusit “Covid-19”, ka qenë mjaft i mirë për kuqezinjtë. Shqipëria e trajnerit Erind Resuli ka kaluar në epërsi pas 10 minutash lojë, me anë të Selmanajt, ndërsa vetëm dy minuta më pas, është kapiteni Halimi që dyfishon shifrat. Me këtë epërsi të dyfishtë do të mbyllet pjesa e parë e takimit, ndërsa në të dytë, Selmanaj do të gjejë edhe golin e tij të dytë personal, duke e çuar kryesimin e kuqezinjve në 3-0.
Por Danimarka dhe shënon dy herë brenda 7 minutave të fundit, duke kërcënuar të zhbëjë fitoren e Shqipërisë. Por Kombëtarja dhe gardiani brazilian i portës kuqezi nuk kanë lëshuar, duke e ruajtur këtë fitore, që është e para për Shqipërinë në këtë nivel. Sidoqoftë, një fitore me 3 gola të shënuar, me 4 shtylla të goditura dhe të paktën edhe 5-6 raste të tjera për shënim, kjo ishte një ndeshje që premton për Shqipërinë e futbollit të sallës për dy ndeshjet e mbetura në grup, atë me Kroacinë në Tiranë dhe me Ukrainën në fushën e kësaj të fundit.