AlbanianSport.com 19.10.2015 11:35
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit të sallës do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të këtij sporti, që zhvillohet në Lituani. Sipas trajnerit të ekipit përfaqësues, Erind Resuli, synimi parësor është kalimi i fazës së grupeve.
Nga data 22, deri më 25 tetor 2015, Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit të Sallës, që do të zhvillohet në Lituani. Në përbërje të ekipit përfaqësues, që është stërvitur gjatë ditëve të fundit në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani” në Elbasan, janë sportistë shqiptarë që luajnë në kampionatin vendas, por sportistë të cilët e ushtrojnë këtë sport jashtë Shqipërisë.
Sipas trajnerit të ekipit përfaqësues, Erind Resuli, synimi parësor është kalimi i fazës së grupeve. “Jemi munduar që të ndërthurim në këtë grup lojtarësh si faktorin moshë, pra, elementin me përvojë, me atë të ri, por edhe faktorin gjeografik, pra, kemi edhe lojtarë që luajnë jashtë, por edhe ata që luajnë në Shqipëri”, – tha Resuli.
“Jemi të ndërgjegjshëm se është një grup i fortë, por besojmë në mundësitë dhe aftësitë tona dhe synojmë të shkojmë sa më larg”, – përfundoi trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit të vogël. Ekipi shqiptar është nisur të hënën drejt Lituanisë, ku do të zhvillohen edhe 3 ndeshjet e fazës së grupeve.