AlbanianSport.com 23/01/2021 18:40
ASNN – Skuadra e drejtuar nga Erind Resuli është vendosur nga shorti në një grup me Ukrainën, Kroacinë dhe Danimarkën në fazën finale të Evropianit të Futbollit të Sallës, në një grup që do të luajë ndeshjet në sistem vajtje-ardhje. “Në fazën e grupeve, nuk janë ekipe të nivelit që kemi luajtur deri tani, por janë ekipe të nivelit më të lartë, – ka deklaruar ai. – Do mundohemi me lojtarët që kemi të japim maksimumin dhe të arrijmë synimin apo idetë që kemi në kokë. Përveç Ukrainës dhe Kroacisë, kemi edhe Danimarkën në grup, një ekip i nivelit tonë. Ne do të japim maksimumin te të treja ndeshjet ndaj kundërshtarëve.”
“Ndeshjet tani nuk janë më sistem grumbullimi i gjithë grupi, por duke qënë faza finale për Eliminatoret e Kampionatit Evropian janë me sistem vajtje-ardhje, – ka vijuar trajneri kuqezi. – Jemi në një situatë të pazakontë dhe nuk e dimë sesi do të dalim me testet e lojtarëve që kemi, duke shpresuar që të mos kemi të infektuar dhe mungesa. Lista është me 25 lojtarë, 4 janë larguar deri tani, nëse do kemi mungesa të tjera do thërrasim element të tjerë. Shpresoj që testet të jenë negative dhe të përfaqësohemi sa më mirë”. Nuk kanë munguar në konferencën për shtyp të së shtunës edhe pyetjet për objektivin e Shqipërisë në këtë fazë finale eliminatore.
“Kjo është hera e parë që e prekim këtë fazë dhe e kemi të qartë që duke qënë për herë të parë kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta, të njohurat dhe të panjohurat, – ka thënë Resuli. – E theksova dhe më lart se në grup janë dy skuadra me nivel shumë të lartë të këtij grupi, me Ukrainën që dikur ka fituar dhe Kampionatin Evropian. Objektivi jonë është të përfaqësohemi mirë, të tregojmë vlerat tona dhe se nuk kemi ardhur rastësisht këtu. Nuk duhet të harrojmë se futbolli është i çuditshëm dhe ka edhe të papritura. Pengun e kam për mungesat, por nuk dua ta them për justifikim, sepse çdo e keqe e ka një të mirë dhe çdo e mirë e ka një të keqe.”
“Kjo ka të mirat e veta sepse ne nuk kemi ç’farë humbasim dhe do të luajmë pa emocion dhe për të humbur kanë ekipet që luajnë kundër nesh sepse janë një nivel më i lartë se ne. Ne do të përballemi me ta denjësisht”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares së futbollit të sallës, Erind Resuli.