AlbanianSport.com 27/02/2021 18:55
ASNN – Duke folur para ndeshjes së parë ndaj Danimarkës, që luhet ditën e mërkurë, më datë 3 mars 2021, duke nisur nga ora 19:00 në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës, trajneri i kuqezinjve të futbollit të sallës, Erind Resuli ka bërë një analizë të ecurisë së deritanishme në këto Eliminatore të Evropianit të 2022-shit.
“Sigurisht që është një sfidë e vështirë, pasi do të përballemi me Danimarkën, që është një skuadër e fortë dhe kundërshtari për t’u mundur në Grupin 1, pasi rivalet e tjera Ukraina dhe Kroacia janë ndër më të fortat në Evropë, – thotë ai, duke folur në prag të nisjes së përgatitjeve. – E nisim këtë grumbullim me dy rikthime të rëndësishme në ekip, po sërish kemi mungesa.”
“Shpresoj që këtë herë të mos kemi probleme me testet e “Covid-19”, pasi në janar u penalizuam fort nga mungesat, – ka vijuar Resuli. – Epidemia vazhdon të ketë ndikim të fortë në përgatitjet, sidomos në planin fizik duke ditur që disa kampionate, siç është dhe ai i Kosovës, janë të ndërprerë që në mes të dhjetorit. E kundërta ndodh në Danimarkë, që vazhdon në kampionat të rregullt dhe i ka te gjithë lojtarët aty.”
“Shpresoj që kjo të mos na dëmtojë, pasi ndeshjet janë shumë afër njëra-tjetrës dhe si pasojë duhet një përgatitje e mirë fizike. Uroj që djemtë të jenë në formë dhe të japin maksimumin në sfidat e radhës”, – përfundoi trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në futbollin e sallës, Erind Resuli, i cili ka shpallur të shtunën listën me 15 lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida.