Sigurisht që të marrësh përsipër organizimin e një grupi eliminator të futbollit të sallës, i cili e ka të shtrirë aktivitetin në pesë ditë (mbërritja e delegacioneve, gjyqtarëve, delegatit dhe vëzhguesit, dita e parë, dita e dytë, pushim aktiv për të gjithë pjesëmarrësit, dita e tretë, largimi i delegacioneve), është diçka që kërkon mobilizim të shumë sektorëve.
E cila kërkon jo vetëm financa të shpenzuara për akomodimin e delegacioneve, transportin e tyre nga aeroporti në hotel, nga hoteli në Pallat Sporti e anasjelltas, por dhe të gjitha resurset e tjera për një veprimtari normale. Shqipëria e futbollit, edhe sepse stadiumet janë të gjitha të rregulluara, tani në shtator ka marrë përsipër në Fier dhe në Vlorë një grup eliminator të femrave Nën-19-vjeç dhe më pas në tetor, në Pogradec dhe Korçë, një grup eliminator të Nën-17-vjeçarëve.
Ajo që duhet të pranojmë të gjithë është fakti se gjendja mjerane e Pallateve të Sportit nuk është faji i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ashtu siç nuk është faji po i institucionit më të lartë të topkëmbës shqiptare që pallatet e sportit, të ndërtuar diku nga fundi i viteve 70 dhe në fillim të viteve 80, nuk plotësojnë standardet normale të futbollit të sallës, teksa gjatësia e fushës është 42×20 ose 40×20.
Realisht të vetmet që kanë standarde të tilla janë Elbasani, Korça dhe Vlora. Por gjithsesi, me një “buon-sens” dhe një bashkëpunim të gjerë me Ministrinë e Arsimit të Sporteve, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Bashkitë përkatëse, Federata Shqiptare e Futbollit nuk duhet të kishte thënë “jo” menjëherë. Sepse edhe kombëtarja e futbollit të sallës, e cila ka luajtur vetëm miqësore përballë publikut vendës, e ka të nevojshme të luajë dhe ndeshje zyrtare në vendin e vet.
Për të mos qenë gjithnjë udhëtuese… E këtë “jo” për shkak të infrastrukturës e vuan më së shumti i gjithë komuniteti i futbollit të sallës, që realisht duket sikur është katandisur si “kokoshi në një thelë”. Sepse kanë mbetur vërtetë pak njerëz dhe në mos sot, në një ditë të ardhshme futbolli i sallës nuk ka për të ekzistuar më si disiplinë. Ndaj i duhej “po-ja” UEFA-s nga FSHF, sepse kështu zgjon interesin e të gjithëve për t’u marrë me këtë sport.
Mirëpo nuk kemi infrastrukturë dhe pallate sporti… Mjerane për të gjithë sportin shqiptar.