Gjergj Vyshka 11.01.2016 10:25
Në turin e ardhshëm fituesit e Kupës së Shqipërisë në futbollin e sallës dhe kuqeblutë në të njëjtin grup me “Cungu Company” dhe Podgoricën. KS “Ali Demi” dhe Vllaznia, të cilat janë pjesëmarrëse në turneun e 5-së ndërkombëtar “Otranto Olimpik 2016”, që është duke u zhvilluar në Ulqin, i kanë humbur ndeshjet e tyre të fundit në grup. Por ajo që është e rëndësishme është se të dyja skuadrat tona do të vazhdojnë në çerekfinale.
KS “Ali Demi” ka humbur 1-4 me Budvën, edhe pse pjesën e parë e ka mbyllur në barazim pa gola, 0-0. Tanët kanë shënuar të parët, por edhe duke qenë me vetëm 6 lojtarët duket se nuk kanë mundur ta përballojnë presionin e skuadrës malazeze, e cila në fund ka fituar 1-4. Po kështu ka ndodhur dhe me Vllazninë, e cila është mundur 1-2 nga Ana e Malit.
Me rregullin e organizatorëve të kësaj veprimtarie, dy të parat e çdo grupi kalojnë në fazën tjetër, atë çerekfinale, aty ku do të formohen dhe dy grupe të tjera me nga 4 skuadra dhe do të luhet edhe një herë me sistem grupi. KS “Ali Demi” dhe Vllaznia janë në të njëjtin grup së bashku me “Cungu Company” dhe Podgorica. KS “Ali Demi” të martën në ora 18:00 do të luajë me “Cungu Company”, që ka në gjirin e saj edhe lojtarë të kombëtares së futbollit të sallës të Shqipërisë, si dhe dy të përfaqësueses malazeze.
Ndërkohë Vllaznia do të përballet me Podgoricën. Në grupi B janë Ana e Malit, Budva, Feniksi i Kosovës dhe Suhareka. Dy të parët e grupit kalojnë në gjysmëfinale, ndërsa finalja e turneut luhet të shtunën. Shpresohet që si KS Ali Demi, ashtu dhe Vllaznia të vazhdojnë me këtë paraqitje të mirë ndërkombëtare në futbollin e sallës.