AlbanianSport.com 02.02.2017 18:00
ASNN – Ka marrë fund ëndrra e Kosovës për kualifikim në fazën tjetër eliminatore të Kampionatit Evropian të 2018-ës në futbollin e sallës, pasi ajo është eliminuar që në fazën paraeliminatore.
Kosova pësoi sot humbjen e parë, 1-2 nga Danimarka, duke u larguar nga zbritur nga vendi i parë i renditjes së Grupit E të paraeliminatoreve dhe, për të vijuar më tutje, i duhej vetëm fitorja e Qipros në përballje me Norvegjinë, në takimin tjetër në këtë grup.
Por, kjo nuk ndodhi pasi Norvegjia, e cila pësoi humbje në dy ndeshjet e para, në të fundit barazoi 4-4 me Qipron. Kështu, Kosova mbyll fazën paraeliminatore në vendin e dytë, me 6 pikë, po aq sa kryesuesja e grupit, Danimarka.
Dhe është kjo e fundit që shkon më tutje, falë fitores në përballjen e drejtpërdrejtë me Kosovën. Pas Shqipërisë së futbollit të sallës, që i fitoi të 3 takimet e saj, ishte shpresuar që edhe Kosova të ishte në fazën tjetër, por nuk ndodhi kështu.