AlbanianSport.com 27/01/2021 16:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit të sallës ka udhëtuar të hënën drejt Kroacisë në prag të ndeshjes së parë të për eliminatoret e Kampionatit Evropian 2022. Skuadra e drejtuar nga Erind Resuli është shortuar në Grupin 1 së bashku me Ukrainën, Kroacinë dhe Danimarkën.
Delegacioni kuqezi u është nënshtruar ditën e diel testeve “Covid-19” me tampon dhe kanë rezultuar që të gjithë negativë. Pas marrjes së rezultateve Kombëtarja është nisur për në vizitën kroate, teksa më 27 janar 2021, në Varazhdin, do të zhvillojë duelin e parë të këtyre eliminatoreve.
Skuadra ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore në Kroaci pasditen e së hënës në “Arena Varazhdin”, pikërisht aty ku do të luhet edhe sfida e parë zyrtare e Evropianit. Trajneri Resuli që ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët e grumbulluar dhe deri tani nuk ka asnjë dëmtim apo probleme fizike.
Ndërkaq, më 31 janar 2021, kuqezinjtë e futbollit të vogël do të zhvillojnë edhe duelin e dytë, pasi do të përballen me Ukrainën në Tiranë. Takimi do të luhet në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik në kryeqytet.