AlbanianSport.com 31/01/2021 16:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit të sallës ka zhvilluar këtë shtunën seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes ndaj Ukrainës, e vlefshme për Grupin 1 të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2022. Nën drejtimin e trajnerit Erind Resuli kuqezinjtë u stërvitën në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova”, të Parkut Olimpik të Tiranës, ku të dielën, duke nisur nga ora 18:00 do të zhvillohet edhe ndeshja e dytë e këtyre eliminatoreve.
Grupi është i plotë dhe nuk ka asnjë mungesë, ndërsa skuadra është stërvitur për rreth 1 orë. Duke folur para ndeshjes me Ukrainën, trajneri i Kombëtares, Erind Resuli, pohoi se skuadra vuan ende 4 mungesa të rëndësishme, por edhe mungesën e përvojës në një nivel kaq të lartë të futbollit kontinental të sallës. Trajneri tha se kuqezinjtë e kanë përmbushur misionin deri në atë pikë që u është kërkuar.
“Tani kemi arritur në një nivel shumë të lartë konkurrence dhe do të përpiqemi të marrim maksimumin”, – tha trajneri Resuli. Shqipëria e futbollit të sallës luajti ndeshjen e parë të Eliminatoreve të Evropianit ndaj Kroacisë më 27 janar në fushë të huaj. Kuqezinjtë u mundën me rezultatin 4-1 nga një prej skuadrave më të fortë në Evropë. Në këtë grup, që kryesohet aktualisht nga Kroaci me 6 pikë pas dy ndeshjesh, bën pjesë edhe Danimarka.