AlbanianSport.com 29/01/2021 22:25
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares kuqezi të futbollit të sallës flet para sfidë me Ukrainën. Shqipëria e futbollit të sallës e ka nisur me një humbje 1-4 fushatën e saj në fazën e dytë dhe të fundit të Eliminatoreve të Evropianit të 2022-shit, por për futbollistin kuqezi, Endrit Kaca, paraqitje ishte premtuese. “Ishte një humbje që nuk mund të themi se ishim të pafat, por na tregoi sesa shumë kemi për të mësuar në këtë nivel”, – tha ai, duke iu referuar ndeshjes së parë.
Tanimë sulmuesi e ka hedhur vështrimin tek sfida e radhës, ajo e së dielës. “Një ndeshje e vështirë, sepse Ukraina dhe Kroacia janë dy favoritet e grupit, dy skuadra që kanë përvojë në nivele të larta ndërkombëtare, – ka theksuar futbollisti kuqezi. – Megjithatë, do të japim maksimumin tonë, duke menduar se me shumë përqendrim, mund të bëjmë diçka.”
30-vjeçari thekson se synimi i pjesëmarrjes në këtë grup është që Shqipëria të mos dalë pa pikë. “Sigurisht, në një grup të tillë duhet të jemi realistë në synimet tona dhe e rëndësishme në këtë fazë është që të marrim maksimumin ndaj Dannimarkës”, – tha Kaca. Sikundër përballja e parë në Kroaci, edhe sfida e radhës me ukrainasit në Tiranë do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.