Flamurtari, kampionia në fuqi e futbollit të sallës, e ka mbyllur me barazimin paraqitjen e saj në Kupën “UEFA”. Pas fitores me gjermanët e Shtutgartit, 4-3, por dhe pas humbjes troditëse me qipriotët e APOEL Nikozisë, 1-9, ndeshja me kampionët e Estonisë ka qenë më shumë se e vështirë. Lojtarët e Anzhi Talinit e kanë vënë nën presion që në minutat e para skuadrën tonë kampione.
Porta vlonjate “bombardohet” nga gjuajtjen e Kostin, Tsurilkin, Kulisov, Kolosov, Pronin, por Rrapi është treguar i saktë në pritjet. E atëherë kur nuk pritej ka ardhur vetëndëshkimi për vlonjatët, teksa Aloviç ka shënuar në portën e tij. Estonezët nuk e ulin presionin dhe Kulikov ka shënuar dhe golin e dytë. Pjesa e dytë është tjetër pamje për Flamurtarin. Koçoviç dhe Aloviç kanë përmbysur në 2-2.
Por Skiperski e mban përsëri skuadrën në avantazh 3-2. Flamurtari nuk dorëzohet dhe Karlos Kalus ka shënuar dhe golin e tretë. Vlonjatët i kanë pasur të gjitha shanset për ta fituar ndeshjen, por Aloviç ka gabuar nga pika e bardhë e 11-metërshit. Ka tre kartonë të verdhë për vlonjatët, dy prej të cilët për protesta ndaj gjyqtarët. Megjithatë me 4 pikë në vendin e 3-të, me 8 gola të shënuar dhe 15 të pësuar, kjo e sivjetmja duhet konsideruar një paraqitje dinjitoze në Evropë për Flamurtarin e futbollit të sallës, që vitin e ardhshëm shpreson të jetë përsëri “kampione” e Shqipërisë.
Flamurtari – Anzhi Talin 3-3
Shënues: Koçoviç 27’, Aloviç 28’, K. Kalus 30’ /
Aloviç 8’(a.g.), Kulikov 18’, Skiperski 28’
Flamurtari: Rrapi, K. Kalus, S. Qopekaj, Koçiraj, A. Qopekaj / Koçoviç, Aloviç, Gurzakoviç. Trajner: M. Kalus
Anzhi Talin: Boskin, Kostin, Merkurjev, Tsurilkin, Skiperski / Kulikov, Kolosov, Pronin, Kirilov, Kusnir. Trajner: D. Klimov
Gjyqtarë: V. Bugenko (Moldavi), B. Zogaj (Zvicër)
Kartonë të verdhë: Koçiraj, Aloviç, Gurzakoviç / Merkurjev, Kusnir
Nr. | Skuadra | N. | F. | B. | H. | Gsh-Gp | Pikë |
---|---|---|---|---|---|---|---|
1. | APOEL Nikozia | 3 | 3 | 0 | 0 | 24-5 | 9 |
2. | Anzhi Talin | 3 | 1 | 1 | 1 | 12-10 | 4 |
3. | Flamurtari | 3 | 1 | 1 | 1 | 8-15 | 4 |
4. | Shtutgarti | 3 | 0 | 0 | 3 | 6-20 | 0 |