AlbanianSport.com 27/02/2021 21:10
ASNN – Edhe ndeshja e kthimit mes Shqipërisë dhe Danimarkës, e vlefshme për Grupi 1 të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Futbollit të Sallës 2022, do të luhet në Tiranë, më 4 mars 2021, duke nisur nga ora 13:00, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës. Zyra e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bërë të ditur se se vendimi për ta luajtur edhe këtë ndeshje në kryeqytetin shqiptar është marrë pas konsultave të vazhdueshme midis FSHF-së, Federatës Daneze të Futbollit dhe organizmit që qeveris futbollin kontinental, UEFA-s.
Fillimisht, ndeshja ishte parashikuar të luhej më datë 7 mars 2021, duke nisur nga ora 15:00, në “Spar Nord Arena Slagelse” të Danimarkës, por tashmë është spostuar dhe do të luhet në Shqipëri. Vendimi për këtë ndryshim të kalendarit u mor për shkak të masave kufizuese të përcaktuara nga autoritetet shtetërore daneze për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si edhe karantinës së detyruar për të gjithë personat që hyjnë në Danimarkë.
Në këto kushte organizimi i ndeshjes në Danimarkë përballej me shumë vështirësi dhe, pas diskutimeve, u ra dakord që, për të gjetur një zgjidhje optimale, edhe ndeshja e kthimit të luhet në Tiranë. Ndërkaq, ndeshja e parë e eliminatoreve të Euro 2022 Futsal mes Shqipërisë dhe Danimarkës do të luhet sipas programit paraprak, më datën 3 mars 2021, duke nisur nga ora 19:00 në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet.