Gjergj Vyshka 15.08.2015 19:00
Duke parë listat e Shqipërisë në Lojërat e para Mesdhetare të Plazhit, ajo që bie në sy është tek futbolli përfshirja e lojtarëve profesionist. Të tillë si Bedri Greca, i cili sivjet ka shkuar nga Tërbuni tek Flamurtari. Apo dhe Marvin Turtulli, që është tek Dinamo e Rigers Karaj, i cili është pjesë e Korabit të Peshkopisë, që sivjet është ngjitur në Kategorinë e Parë.
Nëse për Turtullin e Karajn edhe nuk mund të ketë probleme për marrje leje nga drejtuesit e ekipit, sepse kampionati i Kategorisë së Parë nis më 12 shtator 2015, për Grecën është problem. Kategoria Superiore fillon më 22 gusht dhe Flamurtari do të duhet të luajë dy ndeshjet e para, ndërsa do të presë Teutën dhe më pas me Partizanin në transfertë në Tiranë, më 29 gusht.
Ajo që mbetet është gjetja e konsensusit me Flamurtarin për Grecën, sepse pjesa më e madhe e kombëtares së futbollit në plazh përbëhet nga lojtarë, të cilën luajnë edhe në futbollin e sallës. Ndërkohë shoqata kombëtare e minifutbollit ka lajmëruar dhe zhvillimin e kampionatit të plazhit më 24 gusht, që do të zhvillohet përsëri në Gjirin e Lalzit.