AlbanianSport.com 22/03/2022 16:40
ASNN – Është mbyllur java e 16-të e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Femra, që ka prodhuar ndeshje mjaft interesante. Vllaznia duket se është tashmë drejt titullit të 9-të “kampion”, teksa së fundmi ka arritur të mundë rivalen kryesore për titull, Apoloninë. Në sfidën e zhvilluar në Shkodër, në stadiumin “Reshit Rusi”, shkodranet kanë mundur me 4 gola fieraket, me ndeshjen që zgjati në barazim për vetëm për 28 minuta. Berisha zhbllokoi rezultatin minutën e 28-të për Vllazninë, ndërsa në pjesën e dytë, verioret do të realizonin edhe 3 gola të tjerë, me Esmeralda Franjën, Megi Doçin e Esi Lufon.
Një fitore që është mjaft e rëndëishme për Vllazninë, që shkëputet kështu 5 pikë nga vendi i dytë që mbahet tashmë nga skuadra e Tiranës, pasi mposhti në derbi ekipin e Partizanit. U zhvillua ditën e sotme kjo ndeshje e rëndësishme e kampionatit të femrave, që gjithmonë sjell tifozë e emocione në fushë. Vajzat bardheblu ishin të parat që kaluan në epërsi me Vishkullin, që në minutën e 7-të të takimit, teksa Partizani arriti të barazojë rezultatin në minutën e 29-të me Tabakun. 1-1 u mbyll fraksioni i parë i lojës, teksa 13 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Ago dyfishoi shifrat për Tiranën.
Pak minuta zgjati gëzimi në kampin bardheblu, teksa nga pika e bardhë e 11-metërshit, Begallo barazoi rezultatin në 2-2. Heroina e kësaj ndeshjeje ishte Vishkulli, e cila realizoi edhe golin e 3-të të sfidës, duke vulosur rezultatin dhe duke i dhënë 3 pikët Tiranës, në një ndeshje të rëndësishme për të dyja ekipet. Sa u përket ndeshjeve të tjera, në derbin tjetër kryeqytetas, Kinostudio mundi gjithashtu me 4 gola skuadrën e Tirana AS. Baftia me dy golëshin e saj, Cyme Lulaj e Kuim i dhanë tre pikët Kinostudios në këtë sfidë. Një fitore që i mban kryeqytetaset vetëm 3 pikë larg Murlanit të vendit të 5-të
Kjo e fundit fitoi këtë javë me shifrat e thella 8-0 në Shkodër, duke mundur skuadrën e Lushnjes, që këtë edicion nuk ka treguar një formë të mirë, teksa renditet në fundin e renditjes. Protagonistet e golave për ekipin verior ishin Ferreira dos Santos me një 3-golësh, teksa Vasa arriti të realizojë një dygolësh. Gjergji, Luiz Kabral e Tanushi lanë gjithashtu gjurmët e tyre në këtë fitore të rëndësishme për skuadrën e tyre. Edhe Teuta mori një fitore të rëndëishme në vizitën e Korçës, ku mundi Skënderbeun me shifrat 1-4. Kjo sfidë u duk se u mbyll që në 20 minutat e para, teksa Bushi, Delilaj dhe Zotkaj realizuan shumë shpejt për bregdetaret.
Potomi ngushtoi rezultatin për juglindoret, por pa ndryshuar fatin e lojës. Puca në fund realizoi edhe golin e katërt për Teutën, duke vulosur rezultatin dhe duke u kthyer në Durrës me 3 pikët e plota.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 16-të:
Vllaznia 4-0 Apolonia
Tirana AS 0-4 Kinostudio
Murlani 8-0 Lushnja
Skënderbeu 1-4 Teuta
Partizani 2-3 Tirana