AlbanianSport.com 25.04.2015 18:50
ASNN – Futbolli i femrave ka ulur siparin e sezonit të 6-të të Kampionatit të tij Kombëtar, duke kurorëzuar Vllazninë si “kampione” për të dytin sezon radhazi. Suksesi i këtij edicioni për Vllazninë ka qenë absolut, pasi nuk ka lënë asnjë pikë me kundërshtarët duke fituar ndaj të gjithëve, madje edhe me diference të madhe golash. Për futbollistet shkodrane, tashmë objektivi primar është konkurrimi në Ligën e Kampioneve, ku do të marrin pjesë për here të tretë.
Kampionati i 6-të Kombëtar i Futbollit të Femrave ka ulur të premten siparin dhe në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia ka patur përballë skuadrën e Elbasanit. Edhe pse rezultati nuk kishte fare rëndësi, pasi Vllaznia e kishte siguruar fitimin e titullit “kampion” dy javë përpara përfundimit, futbollistet shkodrane shënuan plot 9 herë në portën mike duke e fituar të gjithë takimin me rezultatin e thellë 9-0. Kjo fitore mban firmën e Doçit, që shënoi 3 gola, Jasharit dhe Baros, që shënuan nga 2 gola dhe Berisha dhe Muja, nga 1 gol secila.
Në përfundim të takimit, Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Klubin e Futbollit “Vllaznia” organizuan ceremoninë e kurorëzimit të Vllaznisë kampione të Shqipërisë duke i dorëzuar futbollisteve femra dhe stafit teknik medaljet përkatëse si dhe kupën e kampionatit. Krahas titullit kampion si ekip, Vllaznia ka nxjerrë edhe golashënuesen më të mirë të kampionatit, dhe ajo është futbollistja e talentuar Megi Doçi që në përfundim të krejt kampionatit numëron plot 56 gola.
Suksesi i këtij edicioni për Vllazninë ka qenë tejet absolut kur gjatë të gjithë sezonit nuk ka lënë asnjë pikë me kundërshtarët duke fituar ndaj të gjithëve, madje edhe me diference të madhe golash. Për futbollistet shkodrane, tashmë objektivi primar është konkurrimi në Ligen e Kampioneve ku do të marrin pjesë për here të tretë.