Gjergj Vyshka 14.08.2015 10:40
Vllaznia në futboll për femra tashmë e ka bërë modë në pjesëmarrjen e saj në Ligën e Kampioneve, ndërsa është mundur përsëri duke pësuar pesë gola. Kështu ka ndodhur dhe dje pasdite, ndërsa janë mundur 1-5 nga skuadra turke, Konak Beledijesi. Nga një pjesë e parë e mirë e shkodraneve, teksa Bajraktari ka barazuar 1-1 në minutën e 16-të, ka ardhur një shkatërrim total në pjesën e dytë.
Madje në harkun kohor të 18 minutave shkodranet pësojnë katër gola. Ka shënuar në të 66-tën minutë Nurlu. Më pas, në minutën e 77-të, ka realizuar Topçu, kurse në të 82-tën Hiz dhe në të 84-tën Berna Jeniçeri. Ajo që të vjen keq, ashtu sikurse dhe në ndeshjen e parë me boshnjaket e Sarajevës, është se Vllaznia në fund pëson dy gola për dy minuta.
Që do të se nuk arrin ta mbledhë veten pas pësimit të golave dhe shthuret totalisht. Tashmë ndeshja e fundit do të jetë të dielën me bjelloruset e Minskut, por që duket e vështirë që Vllaznia të ngrejë kokë, ndërsa kështu vazhdon seriali i humbjeve në Ligën e Kampioneve, duke treguar nivelin inferior të futbollit të femrave shqiptare ndaj ndërkombëtarëve.
Konak Beledijesi – Vllaznia 5-1
Shënuese: Sevgi Çinar 11’, Xheren Nurlu 66’, Ebru Topçu 77’,
Gulbin Hiz 82’, Berna Jeniçeri 84’ / Bajraktari 16’
Konak: Sude Mihri Çinar, Didem Tash, Jasam Goksu, Jonça Shenturk, Berna Jeniçeri (Rahime Atabaj 86’), Ipek Ëzgan, Sevgi Çinar, Hilal Baskol, Ebru Topçu (Asli Karatash 86’), Gulbin Hiz, Ëzge Ëzel (Xheren Nurlu 62’). Trajner: A. Alanç
Vllaznia: Musa (Muja 70’), Bajraktari, Proto, Franja, Gjini, Razburgaj (Sufaj 56’), Jashari, Maliqi (Lazri 46’), Kastrati, Berisha. Trajner: N. Leka
Gjyqtare: L. Otel, T. Tyteka (Belgjikë), J. Vishekruna (Bosnje-Hercegovinë)
Kartonë të verdhë: Bajraktari, Proto