AlbanianSport.com 13/08/2018 17:25
ASNN – Vllaznia e futbollit të femrave ka arritur fitoren e dytë në Ligën e Kampioneve, por nuk e ka pasur fatin për të kaluar në turin tjetër. Ka mjaftuar humbja e ndeshjes së parë me boshnjaket e Sarajevos, 0-5, që shkodranet të penalizohen. Sepse në fazën tjetër kanë shkuar boshnjaket, që kanë pasur 9 npikë të plota. Në ndeshjen e tretë, Vllaznia ka pasur përballë kampionet e Moldavisë, Aneni Noi.
4-1 ka qenë rezultati përfundimtar për skuadrën e Nikolin Lekës. Moldavet kanë rezistuar deri në të 38-ën minutë, atëherë kur ka ardhur goli i parë i Vllaznisë, që ka pasur firmën e Uendi Mujës. Në minutën e 41-të, Megi Doçi ka shënuar golin e dytë. Dhe sapo ka nisur pjesa e dytë, Luçie Gjini do të thellonte në 3-0. E “4-shen” e golave të Vllaznisë do ta shënonte Uendi Muja në të 54-tën minutë.
Vetëm në fund moldavet kanë shënuar me anë të Kolesniçenkos e përfundimisht 4-1 për Vllazninë, që kështu e mbyll përfaqësimin në arenën ndërkombëtare me dy fitore dhe një humbje. Gjashtë pikë të grumbulluara nga kampionia e Shqipërisë në futboll për femra, 7 gola të shënuar dhe 7 të pësuar e në përfundim një përfaqësim dinjitoz. E ajo që mbetet si ëndërr e madhe është kalimi për në turin tjetër të Ligës së Kampioneve.