AlbanianSport.com 09/03/2024 20:20
ASNN – “UEFA Development” për Nën-16-vjeçaret, trajnerja Cyme Lulaj publikon listën, të dielën nis grumbullimi. Shqipëria e Nën-16-vjeçareve në futboll për femra është gati për turneun “UEFA Development”, që do të zhvillohet në vendin tonë nga data 11, deri më 16 mars 2024, një turne që ka në fokus zhvillimin e futbollisteve të kësaj grupmoshe.
Përveç Kombëtares shqiptare, që drejtohet nga trajnerja Cyme Lulaj, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e kësaj grupmoshe të Kosovës, Skocisë dhe Portugalisë. Të gjitha ndeshjet e këtij turneun do të zhvillohen në fushat e “Shtëpisë së Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e re e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet, në datat 11, 13, 15 dhe 16 mars 2024.
Trajnerja Cyme Lulaj ka shpallur edhe listën me 21 lojtaret e grumbulluara në këtë turne. Skuadra kuqezi do të nisë përgatitjet për turneun “UEFA Development” të dielën në Durrës, ku do të qëndrojë e grumbulluar deri në fund të turneut. Sa i përket kalendarit, ndeshjet e para do të luhen më datë 11 mars. Skoci-Portugali nis në orën 11:30, ndërsa Shqipëria do të përballet me Kosovën, duke nisur nga ora 14:30.
Takimet e dyta të turneut do të zhvillohen më 13 mars, me sfidën Portugali-Kosovë që do të luhet duke nisur nga ora 11:30 dhe Shqipëri-Skoci, që nis në orën 14:30. Shqipëria e Nën-16-vjeçareve do të luajë ndeshjen e fundit në turneun “UEFA Development” me Portugalinë më datë 15 mars në orën 14:30, ndërsa sfida Kosovë-Skoci do të zhvillohet më 16 mars në orën 11:30.
“UEFA Development” për Nën-16-vjeçaret në futboll për femra është turneu i 3-të evropian i organizuar për këtë vit nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me organizimin që qeveris futbollin kontinental. Më poshtë, edhe lista me emrat e 21 lojtareve të ftuara nga stafi teknik i Kombëtares kuqezi të Nën-16-vjeçareve për 3 sfidat në turneun “UEFA Development”: