AlbanianSport.com 18/02/2024 16:30
ASNN – Turneu “Visit Malta Trophy”, Kombëtarja e vajzave nis të hënën grumbullimin. Trajneri Grima fton 18 futbolliste. Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave do të marrë pjesë në turneun “Visit Malta Trophy”, një turne i organizuar nga Federata Malteze e Futbollit dhe që do të zhvillohet në Maltë, nga data 22, deri më 25 shkurt 2024.
Shqipëria do të luajë dy ndeshje në këtë turne, përballë Bjellorusisë më 22 shkurt dhe ndaj Ishujve Faroe më 25 shkurt 2024. Të dy takimet do të luhen në Stadiumin “Toni Bezina”, duke nisur nga ora 14:00. Dhe trajneri i vajzave kuqezi, Armir Grima ka zbardhur të dielën edhe listën me emrat e futbollisteve të grumbulluara për këto dy takime të rëndësishme për skuadrën.
Trajneri kuqezi ka thirrur 18 lojtare për këto dy ndeshje, me 13 prej vajzave që aktivizohen në kampionatin shqiptar, 2 prej tyre në kampionatin e Kosovës dhe 3 nëpër kampionatet evropiane. Trajneri Grima ka vendosur të thërrasë për herë të parë mesfushoren e ekipit të Partizanit, Nora Dedgjonaj.
Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës nuk ka ndryshime. Këto dy sfida janë një mundësi shumë e mirë për skuadrën, por edhe për stafin e ekipit kuqezi për të vëzhguar e testuar vajzat kuqezi, duke qenë se për momentin nuk janë të angazhuara në impenjime zyrtare me ndeshje të nivelit UEFA-s apo FIFA-s.