AlbanianSport.com 16/02/2024 19:50
ASNN – Evropiani i Nën-17-vjeçareve, nis të shtunën grumbullimi i Kombëtares së femrave, trajneri Kola thërret 20 futbolliste. Kombëtarja shqiptare e e Nën-17-vjeçareve nis të shtunën grumbullimin dhe përgatitjet për ndeshjet e fazës së dytë, të vlefshme për Kampionatin Evropian 2023 për këtë grupmoshë, që do të zhvillohen në Shqipëri në datat 20, 23 dhe 26 shkurt 2024. Shorti e ka vënë Shqipërinë në grupin B6, së bashku me Irlandën dhe Izraelin dhe të treja sfidat e këtij grupi do të luhen në Stadiumin “Arena Kombëtare” në formën e një mini-turneu.
Trajneri i skuadrës së vajzave kuqezi, Agustin Kola ka grumbulluar plot 20 futbolliste për këto sfida, me synimin e vetëm për të arritur vendin e parë në grup. Pjesa më e madhe e vajzave të ftuara për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë fazë kanë qenë edhe më parë pjesë e ekipit kombëtar, ndërsa bien në sy edhe disa emra të rinj, të cilat do të grumbullohen për herë të parë me skuadrën. 16 prej futbollisteve aktivizohen në kampionatin shqiptar, ndërsa 4 prej tyre luajnë në kampionatet e huaja. Vajzat kuqezi do të nisin grumbullimin të shtunën e 17 shkurtit 2024.
Ato do të kenë në dispozicion 3 ditë për takimin e parë kundër Irlandës, që do të luhet më 20 shkurt në Stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 14:00. Takimi tjetër i Kombëtares shqiptare është planifikuar të luhet më 26 shkurt, po në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 14:00, ndaj Izraelit. Kurse sfida Irlandë-Izrael do të luhet më 23 shkurt 2024, po në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 11:30. Nëse Shqipëria siguron vendin e parë në grupin B6, atëherë siguron edhe ngjitjen në Ligën A dhe, si rrjedhojë, edhe shanset për t’u kualifikuar në Evropianin e ardhshëm do të rriten.