AlbanianSport.com 21.04.2015 12:25
Suada Jashari është shënuesja më e mirë e kombëtares së femrave të futbollit shqiptar, teksa që nga 2011-ta ka shënuar katër gola. Dhe ajo, teksa ka qenë edhe pjesë e Vllaznisë në Kupën e Kampioneve, ka bërë një vlerësim për shortin e Eliminatoreve, që nis më 14 shtator 2015 dhe përfundojnë më 20 shtator 2016. “Nuk mund të flas tani për shanset”, – ka deklaruar ajo.
“Ne përgatitemi në çdo ndeshje për të dhënë maksimumin dhe mundohemi të japim më të mirën tonë, – ka vijuar futbollistja kuqezi. – E kjo është normale që do të ndodhë dhe në ndeshjet e ardhshme. Është një grup me kundërshtare të forta, aq më tepër që Franca është ndër më të mirat e botës, kur është e dyta në renditjen e FIFA-s.”
“Normalisht na presin ndeshje të vështira, kurse objektivi jonë është që të mundim me çdo kusht Greqinë. Pastaj ndeshjet e tjera do t’i marrim me radhë.. Do të mundohemi të nxjerrim më të mirën tonë”, – ka përfunduar shënuesja më e mirë e kombëtares së femrave të futbollit shqiptar, Suada Jashari.