AlbanianSport.com 08.11.2016 17:35
ASNN – Dita e djeshme do të mbahet mend gjatë për futbollin korçar, pasi ka bërë debutimin e parë Skënderbeu në “topkëmbën” për femra në kampionatin shqiptar. Sigurisht një start dhe një rrugë e gjatë në këtë histori, por të vjen mirë që ky fillim ka ardhur me një fitore bindëse 0-3 në fushë të huaj për ekipin e drejtuar nga trajneri Stavrion Lako.
Presidenti Ardjan Takaj ka menduar që të ngrejë edhe këtë skuadër femrash dhe si fillim Skënderbeu ka në skuadër të gjitha lojtare korçare dhe tre blerje të treja nga Elbasani. Motrat Valbona dhe Anjeza Popa dhe Sabina Kasa kanë sjellë një tjetër frymë në skuadër dhe kanë qenë një faktor i madh për këtë nisje me fitore.
Këto tre blerje janë të parat, ndërkohë që në merkaton e janarit mendohet që të afrohen lojtaret më të mira në Shqipëri dhe 2-3 futbolliste të huaja. Përsa i përket Teutës duhet thënë se është një skuadër me vajza të reja 14-15 vjeçare, që premtojnë për të ardhmen.