AlbanianSport.com 08.05.2016 18:05
ASNN – Korçaret grumbullojnë 25 pikë në fund të sezonit, teksa në ndeshjen e djeshme mundin lehtësisht 3-1 Dajtin brenda në kryeqytet. Ka përfunduar dje për korçaret sezoni i Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave, teksa Skënderbeu e ka mbyllur në mënyrën më të mirë këtë sezon, pasi ka fituar 1-3 mesditën e djeshme në vizitën e kryeqytetit ndaj Dajtit. Në fakt fitorja e Skënderbeut ka qenë më shumë se e lehtë edhe për atë se Dajti e mbyll sezonin në vendin e fundit të kampionatit.
Korçaret e drejtuara nga trajneri Stavrion Lako, edhe pse me mungesat e Albina Rrahmanit dhe Valbona Popës, arrijnë të sigurojnë një fitore me 3 gola, por me pak kujdes kjo fitore mund të ishte edhe më e thellë. Që në nisje të takimit të djeshëm, që u luajt në Yrshek, korçaret hidhen në sulm për të shënuar dhe arrijnë të zhbllokojnë shumë shpejt rezultatin. Në minutën e 9-të, është Myrtollari, që nga e djathta fut një top në zonë dhe Adela Qylalli me kokë e dërgon në rrjetë, duke kaluar mikeshat në epërsi.
Edhe goli i dytë do të vinte shumë shpejt, teksa në të 19-ën minuta është mesfushorja Morava që në vijën e 16-të metrave gjuan saktë dhe çon shifrat në 0-2. Pas këtyre dy golave, Dajti kërkon të bëjë diçka dhe në zbritjen e vetme të ndeshjes, në minutën e 33-të, shënon golin e vetëm për vendëset. Është Meta që në të 33-ën minutë, me një goditje dënimi nga 30 metra larg portës ngushton rezultatin në 1-2. Me këto shifra mbyllet pjesa e parë.
Në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 64-t, Skënderbeu ka mundësi të shënojë edhe të tretin, teksa Qylalli fiton një 11-metërsh. Është Rafaela Zere që merr përsipër ta gjuajë dhe topi përfundon jashtë kuadratit. Atë që s’e bën Zere, e bën e talentuara Joana Niçku, që 8 minuta përpara përfundimit të ndeshjes, pas një pasimi të saktë të Myrtollarit, e ndodhur fare pranë portës, mbyll ndeshjen duke shënuar edhe golin e 3-të. Në përfundim, Skënderbeu fiton 3-1 në fushë të huaj, duke i bërë një mbyllje si jo më mirë sezonit me 25 pikë të grumbulluara gjithsej.
Dajti – Skënderbeu 1-3
Shënues: Meta 33’ / Qylalli 9’,
Morava 19’, J. Niçku 82’
Dajti: Spaho, Domi, Hoda, Visha, Zalla, Sena, Nika, Xhaferri, Disha, Meta, Xhaja. Trajner: K.Gjonpalaj
Skënderbeu: Sula, Kasa, Kullira, Zizolli, M.Niçku, Zere, Shkëmbi, Morava, Qylalli, Myrtollari, J.Niçku. Trajner: S. Lako
Gjyqtarë: F. Borova, S. Tusha, Gj. Asllani (Shkodër)
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 18-të
(7-8 maj 2016)
Të shtunën:
Kinostudio – The Door 4-0
Dajti – Skënderbeu 1-3
Juban Danja – Apolonia 3-4
Teuta – AAS 5-2
Të dielën:
Vllaznia – Tirana AS
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Vllaznia 17 17 0 0 130-2 51
- Kinostudio 18 12 2 4 93-30 38
- Tirana AS 17 11 3 3 74-25 36
- Apolonia 18 11 3 4 70-24 36
- The Door 18 10 3 5 49-33 33
- Skënderbeu 18 8 1 9 38-54 25
- Juban Danja 18 7 2 9 46-38 23
- Teuta 18 3 0 15 18-89 9
- AAS 18 3 0 15 18-112 7
- Dajti 18 0 0 18 5-145 0