AlbanianSport.com 25/10/2021 19:55
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka luajtur ditën e hënë ndeshjen e 3-të dhe të fundit ndaj Uellsit, ku është mundur me rezultatin 1-4, duke mbyllur kështu rrugëtimin në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2022-shit. Trajneri Kreshik Krepi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Hyska, Gjergji, Troka, Vuksani, Tanushi, Avullija, Iliadhi, Mema, Kacorri, Hamonikaj dhe Armoku. Vajzat kuqezi bënë një paraqitje të mirë, duke e nisur mirë ndeshjen, me kontroll të topit dhe lojës.
Në minutën e 14-të, Matilda Gjergji dhuron bukur një top afër zonës kundërshtare për sulmuesen Hamonikaj, e cila godet lehtë, me topin që përfundon në duart e portieres kundërshtare. Shqipëria e sheh veten në disavantazh në minutën e 26-të, me Uellsin që kalon në epërsi me anë të Tejlorit. Skuadra kuqezi përpiqet të reagojë, duke u afruar disa herë pranë zonës kundërshtare, por nuk arrin dot të gjejë golin e barazimit. Pak minuta më vonë, në të 44-tën, rivalet gjejnë edhe golin e dytë me Puul.
Pjesa e parë mbyllet me këto shifra, teksa me nisjen e pjesës së dytë të lojës, trajneri Krepi bën zëvendësimin e parë, me Cemerin që futet në vend të Kacorrit. 3 minuta pas fillimit të lojës, Uellsi gjen edhe golin e tretë sërish me Puul, pas një aksioni të bukur. Ekipi përpiqet të krijojë balancë në lojë, duke kërkuar të gjejë golin për të ngushtuar rezultatin dhe hapur lojën. Ndeshja do të ndërpritej për rreth 10 minuta, për shkak se një nga lojtaret kundërshtare pëson një dëmtim dhe mori ndihmën mjekësore në fushën e lojës.
Me rifillimin e sfidës, gjyqtarja akordon një 11-metërsh në favor të vajzave tona, me Agli Iliadhin që e ekzekuton në mënyrë të saktë, duke i ngushtuar shifrat në 1-3. Krepi bën edhe katër zëvendësime të tjera, duke futur në lojë Qosen, Bilalin, Blinishtën e Sulën dhe duke nxjerrë nga loja Armokun, Bilalin dhe Avullija. Uellsianet shënojnë edhe golin e katërt sërish me Puul, duke vulosur kështu rezultatin në 1-4. Kjo ishte ndeshja e 3-të dhe e fundit e Shqipërisë së Nën-19-vjeçareve në futboll për femra në këto Eliminatore.
Në dy ndeshjet e para, Shqipëria e Krepit ka marrë një barazim me Moldavinë dhe një fitore me Andorrën. Përfaqësuesja shqiptare u rendit në vendin e dytë në grupin B3, me katër pikë, ndërsa në vendin e parë renditet Uellsi, që kalon në fazën tjetër. Vendi i 3-të në grup i përket Andorrës me 3 pikë, ndërsa Moldavia mban vendin e 4-t, me një pikë të vetme.