AlbanianSport.com 18.02.2016 14:55
ASNN – Loja do të nisë e qetë për të dyja ekipet, me kosovaret që pak e nga pak fillojnë të marrin terren në lojë. Madje, që në minutën e 11-të, Kryeziu do të kalojë në epërsi mikeshat nga Kosova, pas një goditje të bukur të topit brenda në zonë. Vajzat e Shqipërisë duken të pafuqishme për të reaguar, teksa mungojnë rastet për të shënuar. Megjithatë, pas minutave të tëra të luajtura në mesin e fushës, do të vijë edhe goli i barazimit.
Behluli, brenda në zonë, stopon si duhet topin dhe në fund godet duke e dërguar topin në rrjetë. Barazohen shifrat në Elbasan në 1-1. Edhe pse rastet për shënim në pjesën e parë nuk mungojnë, rezultati mbetet i pandryshuar. Pjesa e dytë është sërish më e mirë për miqtë, ku, edhe pse Rraklli bën zëvendësime, nuk ndryshon praktikisht asgjë në lojë. Diferencën në këtë fraksion të lojës e bëri dyshja e futur në pjesën e dytë, Rexha-Islami.
Kombinimet midis tyre sollën edhe golat e tjerë të sfidës me Rexhën që realizon një dygolësh. Fillimisht kosovarja shënon në minutën e 69-të dhe, më pas, me portën e boshatisur, pas topit të ardhur nga këmbët e Islamit, shënon golin e tretë. Shqipëria nuk tregoi asgjë në këtë ndeshje, ndërsa Kosova e meritoi plotësisht fitoren në këtë 8 vjetor të Pavarsisë së saj. Ndërkohë duhet thënë se portierja e Shqipërisë, Djellza Musa u dëmtua në lojë dhe u transportua për në spitalin e qytetit, duke e lënë lojën në mes.
Shqipëri – Kosovë 1-3
Shënues: Behluli 35′ / Kryeziu 11′, Rexha 69′, 86′
E mërkurë, 17 shkurt 2016, ora 14:00
në Stadiumin “Elbasan Arena”
SHQIPËRIA: Musa, Lulaj, Govori, Proto, Rrahmani, Rrotani, Begolli, Koldashi, Behluli, Bajraktari, Rama. Trajner: A. Rraklli U aktivizuan: Lipa, Djegsina, Biqki, Myrteralli, Rexhimi, Popa, Kodra.
KOSOVA: Kolgeci, Haxha, Curraj, Kaciu, Syla, Tahiri, Bajra, Krasniqi, Bajramaj, Musa, Kryezi. Trajner: A. Fatlija. U aktivizuan: Veliu, Rëxha, Islami, Lushtaku
GJYQTARË: F. Xhemalaj, E. Kume, M. Salla (Elbasan)