Gjergj Vyshka 25.01.2015 17:55
Drejtuesit e Federatës së futbollit luksemburgas pranojnë: “Jemi më poshtë se ato”. Merovci dhe Morina i japin suksesin shqiptareve të Rrakllit, ndërsa vendëset dorëzohen. Dhe për rrjedhojë Shqipëria e futbollit të femrave ka shkëlqyer dje në Luksemburg, aq sa drejtuesi i futbollit të femrave në Luksemburg, Nikolas Shokmel do të pranonte për gazetën vendëse “Luksemburg Uort”: “Unë jam ambicioz dhe më duhet të them se ne kemi mundësi që të marrim vendin e parë në grupin ku do të luajmë”.
“Pasi para pesë muajsh kemi fituar me Lituaninë 1-0, – ka vijuar ai. – Kemi barazuar 0-0 me Letoninë dhe Moldavinë nuk e njohim. Sigurisht që nuk do të mbështetemi në ndeshjen e sotme, sepse të themi të drejtën ne jemi në nivel më poshtë se shqiptarët, të cilat më 2013-tën na kanë mundur 2-1. Kjo ishte vetëm një ndeshje, duhet të prisni ndryshe”. Ndërkohë trajneri i Luksemburgut, Rei Pie, ka qenë i zhgënjyer me paraqitjen e vajzave të tij.
“Mund të bënim dhe më mirë. Kemi bërë shumë gabime individuale dhe pas golit të dytë të pësuar skuadra nuk pati forcë për të reaguar. Duhet të tregohemi real për turneun që do të bëjmë në Moldavi. Është një aktivitet në të cilin mund të ndodhin shumë gjëra, por nëse e kemi rritur nivelin disi në këto vitet e fundit, të tjerat kanë kohë që ecin me hapa të mëdha. Megjithatë ne shkojmë të kualifikohemi”. Por në të njëjtën kohë edhe Rraklli ka qenë i kënaqur me paraqitjen e vajzave.