AlbanianSport.com 23/02/2021 17:30
ASNN – I pranishëm në sfidën e parë hapëse të javës së parë të Kampionatit Kombëtar të Nën-15-vjeçareve në futboll për femra për Grupin B, ishte edhe Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Florian Riza, i cili në një prononcim për faqen zyrtare në Internet, në fillim të ndeshjes Apolonia-Elbasani u shpreh se ky është një kampionat shumë i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të femrave.
Ai theksoi që në sezonet e ardhshme do të organizohet edhe kampionati i femrave për Nën-17-vjeçaret. “Kushtet atmosferike të javës së shkuar na detyruan ta shtynim kampionatin e futbollit për femra për Nën-15-vjeçaret, – ka deklaruar Riza. – Por fillojmë me grupin B, ku do të luajë Apolonia dhe Elbasani në Fier ndërsa ndeshja e dytë e grupit B do të luhet midis Lushnjes dhe Pogradecit. Ky është një kampionat që zhvillohet për herë të parë.”
“Kampionati është i ndarë në dy grupe për shkak të problematikave që kemi me largësitë dhe me udhëtimet. Mendojmë që ky është një kampionat shumë i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të femrave, që është përparësi numër 1 e Federatës Shqiptare të Futbollit. Besojmë që në një kohë shumë të shkurtër, ne të organizojmë jo vetëm kampionatin e 15-vjeçareve por edhe atë të 17-vjeçareve në sezonet në vazhdim, për ta zhvilluar më tej këtë futboll”, – përfundoi zyrtari i FSHF-së.