AlbanianSport.com 29/10/2021 19:50
ASNN – Pas një shkëputjeje thuajse 3-javore për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare për eliminatoret e Botërorit, por edhe të Evropianit të moshave, Kampionati Kombëtar i Futbollit të Femrave do të rikthehet këtë fundjavë. Kjo javë e 3-të e kampionatit do të nisë me sfidën Lushnja-Partizani, që do të zhvillohet ditën e shtunë, në Stadiumin “Roza Haxhiu”, duke nisur nga ora 12:00. Myzeqaret e nisën mjaft mirë kampionatin, duke marrë një fitore në shtëpi në javën e parë ndaj Teutës, teksa në javën e dytë pësuan një humbje në vizitën e Tiranës.
Ndërkaq, edhe Partizani ka të njëjtin numër pikësh, po aq sa Lushnja, ku ka marrë një fitore dhe një humbje në dy javët e para të kampionatit. Tirana AS do të udhëtojë drejt Shkodrës, ku do të përballet me Atletik Klub, në një sfidë mjaft interesante, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë 3 pikët e para në kampionat. Tirana AS gjendet në kuotën e 0 pikëve, me vetëm një humbje dhe një ndeshje më pak se skuadrat e tjera në kampionat. Shkodranet kanë marrë barazimin e parë ndaj Skënderbeut, ndërsa në javën e dytë pësuan një humbje të thellë nga Murlani.
Ndeshja do të luhet në Kompleksin “Zmijani” në Shkodër, ditën e shtunë, duke nisur nga ora 15:00. Tre sfidat e tjera të javës do të zhvillohen ditën e diel. Kinostudio pret në Qendrën e Ekipeve Kombëtare ekipin e Skënderbeut, ndërsa do të kërkojnë të marrin fitoren e parë në këtë sezon të ri futbollistik. Ndeshja do të nisë nga ora 12:30. Në dy ndeshjet e tjera, Murlani do të udhëtojë drejt Fierit, një përballje mjaft interesante kundër Apolonisë, që gjendet në kuotën e 6 pikëve të plota pas dy javëve të para.
Ndeshja do të luhet në Stadiumin “Loni Papuçiu”, duke nisur nga ora 14:00, ndërsa në po të njëjtën orë, Teuta pret në Durrës bardheblutë e Tiranës.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 3-të:
Të shtunën, 30 tetor 2021:
Lushnja – Partizani (12:00)
Atletik Club – Tirana AS (15:00)
Të dielën, 31 tetor 2021:
Kinostudio – Skënderbeu (12:30)
Apolonia – Murlani (14:00)
Teuta – Tirana (14:00)