Gjergj Vyshka 20.10.2015 08:50
Ekipi kombëtar i femrave, që po përgatitet për ndeshjen me Greqinë, të cilën do ta luajë të enjten në ora 14:00 në stadiumin “Loni Papuçiu”, është vizituar dje në drekë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Ai ka biseduar me trajnerin Altin Rraklli dhe vajzat futbolliste për përgatitjet e tyre për dy ndeshjet e radhës në grupin eliminator me Greqinë më 22 tetor dhe me Rumaninë, më 27 tetor 2015.
Presidenti ka inkurajuar skuadrën duke i vlerësuar takimet si shumë të rëndësishme. “Edicionin e kaluar, kur ne konkurronim për herë të parë, në Eliminatoret e Botërorit, arritëm që pikërisht Greqisë t’i shkëpusnim 3 pikët e para zyrtare”, – tha kreu i FSHF-së.
“Urojmë që një gjë të tillë ta bëjmë edhe të enjten”, – shtoi kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar. Trajneri Altin Rraklli, në emër të skuadrës dhe stafit, falënderoi Presidentin e FSHF-së për mbështetjen dhe inkurajimin, jo vetëm për ekipin kombëtar A, por për të gjithë futbollin e femrave.