Gjergj Vyshka 05.02.2015 19:55
Kombëtarja e të rejave të futbollit të femrave të Shqipërisë, quajtur ndryshe e Nën-19-vjeçareve, tashmë ka ndërruar trajner. Nuk do të jetë më Sajmir Keçi, por në vendin është emëruar Nevil Dede. Pikërisht Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Internet, ka lajmëruar se më 6, 7 dhe 8 shkurt 2015, në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz do të zhvillohet seleksionimi i parë i kombëtares së të rejave në futboll. Kandidatet që do të seleksionohen për ekipin kombëtar të Nën-19-vjeçareve do të kalojnë përpara një grupi specialistësh të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa do të jenë të datëlindjes 1997 dhe 1998.
Në këtë grumbullim, të organizuar nga ana e Sektorit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, do të marrin pjesë kandidate të ardhura nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova. “Do të jetë një hap i rëndësishëm për krijimin e një ideje sa më të qartë për kontingjentin e lojtareve që kemi në dispozicion”, – ka thënë Dede. “Më të spikaturat do të jenë në vëmendjen tonë për të qenë pjesë e ekipit kombëtar të Nën-19-vjeçareve me të cilin do të konkurrojmë në eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Evropian”, – ka shtuar trajneri i ri, duke folur për www.fshf.org, ndërsa Shqipëria do të jetë në grup me Austrinë, Skocinë dhe Ukrainën.
Ndeshjet do të luhen nga data 15, deri më 20 shtator në Austri. Kombëtarja e të Nën-19-vjeçareve të femrave është hera e tretë që merr pjesë, ndërsa si në Slloveni përballë Polonisë, Italisë dhe Sllovenisë, ashtu dhe Fier e Vlorë përballë Norvegjisë, Skocisë e Polonisë, tonat kanë dalë gjithnjë të humbura. Ndoshta sivjet do të jetë një tjetër gjë me trajnerin e ri Nevil Dede.