AlbanianSport.com 30/03/2022 18:40
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka nisur që prej ditës së hënë punën për ndeshjet e fazës së dytë të Kampionatit Evropian të 2022-shit, që do të zhvillohen në Turqi, nga data 5, deri më 11 prill 2022. Shorti e ka vënë skuadrën e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi në të njëjtin grup me përfaqësuesen vendase, organizatore të turneut, por edhe me Izraelin dhe Qipron.
Ekipi është grumbulluar në Durrës që nga data 28 mars, aty ku do të qëndrojë deri më 3 prill 2022 e më pas do të niset drejt Turqisë, për të zhvilluar ndeshjet e kësaj veprimtarie për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve. Trajneri Krepi për këto 3 sfida ka grumbulluar 19 futbolliste dhe pjesa më e madhe e tyre aktivizohen në kampionatin shqiptar.
Të mërkurën, Kombëtarja kuqezi e vajzave ka zhvilluar testin e parë konkret në kuadër të përgatitjeve për këtë veprimtari, atë ndaj skuadrës së Malishevës që përfundoi në barazim 5-5. Në këtë sfidë trajneri kuqezi pati mundësinë të testonte të gjitha vajzat e ftuara prej tij në këtë grumbullim, teksa pati mundësi të shikonte nga afër gjendjen e tyre fizike.
Faza e dytë nis më 5 prill 2022, me ndeshjen e parë ndaj Izraelit, ndërsa sfida e dytë do të jetë ndaj Qipros më 8 prill. Ndeshja e 3-të dhe e fundit do të jetë ndaj Turqisë më 11 prill 2022. Shqipëria është sërish pjesë e Ligës B dhe do të tentojë ngjitjen në Ligën A, për të garuar në Eliminatoret e radhës të Evropianit të ardhshëm, teksa duhet theksuar se në fazën e parë, Kombëtarja e Nën-19-vjeçareve bëri një paraqitje mjaft të mirë, duke u renditur në vendin e dytë në grupin e saj.
Më poshtë edhe lista e lojtareve të grumbulluara nga Kreshnik Krepi: