AlbanianSport.com 23/11/2018 15:20
ASNN – Eliminatoret e Evropianit, Shqipëria mëson rivalet për Nën-19 vjeçaret dhe Nën 17- vjeçare. Pavarësisht përpjekjeve të Federatës Shqiptare të Futbollit, klubeve dhe organizmave sportivë, futbolli i femrave në Shqipëri ende ndodhet në pozita të dobëta dhe pa shumë ekipe. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar FSHF-në të organizojë këto skuadra në nivel moshash në ekip kombëtar e deri në nivelin e përfaqësueses A, por rezultatet, siç dihen, janë jo të përshtatshme.
Sidoqoftë, futbolli i femrave vijon të përfaqësohet dhe në veprimtaritë e rëndësishme ndërkombëtare. Ndërkohë, është hedhur sot në Nion të Zvicrës, në selinë e UEFA-s, shorti për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Gjeorgji 2020” për kombëtaren e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra. Gjithsej janë 12 grupe me nga 4 skuadra dhe Shqipëria do të bëjë pjesë në grupin e 3-të së bashku me Gjermaninë, Portugalinë dhe Azerbajxhanin.
Duket qartë se ky është një grup “ferri” për vajzat kuqezi, sepse Gjermania dhe Portugalia kanë skuadra mjaft të forta. Ky grup i Eliminatoreve të Nën-19 vjeçareve femra do t’i zhvillojë ndeshjet në Portugali në datat 2, 5 dhe 08 tetor 2019. Ekipet që do të kualifikohen nga ky tur eliminator, do të vijojnë në “Turin Elitë” do të jenë 28, ku 24 skuadrat që do të renditen të parat dhe të dytat në grupet e tyre përkatëse, si dhe 4 vendet e treta më të mira në 12 grupet. Shanset për kualifikimin e skuadrës kuqezi në turin elitë janë të pakta.