AlbanianSport.com 25/10/2021 16:55
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka mbyllur ditën e diel përgatitjet për ndeshjen e 3-të dhe të fundit ndaj Uellsit, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2022-shit. Ekipi kombëtar zhvilloi seancën e fundit stërvitore për këtë turne në stadiumin e Andorrës, “Estadio Nacional”, nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Krepi që e kishte të gjithë skuadrën në dispozicion. Stërvitja zgjati rreth 1 orë, me vajzat që zhvilluan edhe një lojë të shkurtër, ku fokusi kryesor i teknikut kuqezi ka qenë përmirësimi i pjesës ofensive si dhe zhvillimi i ushtrimeve taktiko-teknike.
Në prag të ndeshjes që do të zhvillohet ditën e hënë, duke nisur nga ora 15:00, ku vajzat kuqezi do të kërkojnë të marrin 3 pikët e radhës dhe të kualifikohen në Ligën A, kanë folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dy futbollistet e ekipit, Antigoni Hyska dhe Matilda Tanushi. Hyska, e cila mban edhe shiritin e kapitenes për Nën-19-vjeçaret u shpreh se atmosfera e ekipit para ndeshjes me Uellsin është mjaft e mirë dhe vajzat do të luftojnë për të marrë 3 pikët që do ta ngjisnin Shqipërinë në Ligën A. “Jemi një grup i plotësuar, – ka thënë ajo fillimisht. – Kemi ardhur nga një fitore si dhe një barazim.”
“Kemi marrë 3 pikë me Andorrën dhe një barazim me Moldavinë, me të cilën dhamë maksimumin, por mbase nuk ishte edhe fati me ne, – ka vijuar Hyskaj. – Do të përpiqemi që ta fitojmë ndeshjen me Uellsin. Objektivi ynë? Objektivi kryesor i ndeshjes të hënën është që të fitojmë dhe të ngjitemi në Ligën A, pasi ky është objektivi më i madh yni, që të jemi në skuadrat më të forta dhe besoj se do ta arrijmë këtë gjë pasi jemi një grup i mirë dhe kemi një atmosferë të mirë në skuadër. Uellsin e kemi parë në të dyja ndeshjet dhe është një kundërshtar i fortë, por besoj se ne do ta mundim.”
Ndërkaq, ka folur edhe autorja e golit ndaj Andorrës, Matilda Tanushi, e cila tha se objektivi i vetëm i ndeshjes kundër Uellsit është fitorja, si dhe u shpreh e lumtur që i dha 3-pikëshin ekipit me golin që shënoi në minutën e 90-të ndaj Andorrës. “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, – ka thënë ajo fillimisht. – Jemi shumë të lidhura me gocat. Vijmë pas dy ndeshjeve ku jemi paraqitur mirë, pas një barazimi me Moldavinë, ku kishim mundësi ta fitonim, por e kompensuam në ndeshjen me Andorrën, edhe pse goli erdhi në minutën e 90-të, ne e fituam atë ndeshje.”
“Tani kemi ndeshjen e radhës me Uellsin dhe duam të fitojmë, ky është synimi ynë për nesër. Do luftojmë vetëm për 3-pikëshin. E lumtur për golin? Shumë e emocionuar, sepse ishte goli që i dha tre pikët ekipit, një fitore që na nevojitej dhe jam shumë e lumtur që u bë në minutën e 90-të”, – ka përfunduar futbollistja e Kombëtares kuqezi të Nën-19-vjeçareve në futboll për femra, Matilda Tanushi.