AlbanianSport.com 20/02/2024 13:55
ASNN – Evropiani i Nën-17-vjeçareve për femra, Kombëtarja luan sot ndaj Irlandës në “Arena Kombëtare”, hyrja falas për tifozët. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është gati për të mirëpritur turneun e parë kontinental për këtë vit. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve të grupit B6, të vlefshme për fazën e dytë të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Nën-17-vjeçareve për femra.
Në grupin B6 bëjnë pjesë Shqipëria, Irlanda dhe Izraeli dhe në total do të luhen 3 takime në stadiumin “Arena Kombëtare”. Skuadrat përfaqësuese të Irlandës dhe të Izraelit kanë mbërritur në vendin tonë dhe po përgatiten për ndeshjet e këtij grupi të fazës së dytë të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe në futboll për femra.
Gjithashtu edhe Kombëtarja shqiptare e vajzave e Nën-17-vjeçareve pati nisur prej ditësh nga puna për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze. Trajneri Agustin Kola ka grumbulluar plot 20 futbolliste për këto sfida, me synimin e vetëm për të arritur vendin e parë në grup dhe për t’u ngjitur në Ligën A. Sfida e parë në “Arenën Kombëtare” do të jetë Shqipëri-Irlandë, që luhet duke nisur nga ora 14:00.
Kjo ndeshje do të transmetohet drejtpërdrejt edhe në RTSH Sport. Takimi i dytë i këtij grupi do të luhet më datë 23 shkurt, duke nisur nga ora 11:30, midis Irlandës dhe Izraelit, teksa kjo sfidë do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të FSHF-së në platformën “YouTube”. Sfida e fundit në “Arena Kombëtare” do të zhvillohet më datë 26 shkurt, duke nisur nga ora 14:00.
Shqipëria do të përballet me Izraelin dhe kjo ndeshje do të transmetohet gjithashtu drejtpërdrejt në RTSH Sport. Gjithashtu, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur hyrja në stadiumin “Arena Kombëtare” për të parë këto ndeshje do të jetë falas për të gjithë sportdashësit.