Gjergj Vyshka 08.04.2016 14:25
Në fakt kampionati i futbollit të femrave javën e kaluar ka qenë i ndërprerë për shkak të dy ndeshjeve të Kombëtares së Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ndaj Maqedonisë, gjë që kanë gjetur pasqyrim edhe në faqen e internetit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Lapsus, apo harresë, kjo vështirë se mund të gjendet.
Por e vërteta është se kombëtarja e femrave, së bashku me vendin e saj të grumbullimit, apo dhe listën e lojtareve që Rraklli ka thirrur për këtë ndeshje të 6-të zyrtare, është mbajtur “top-sekret”. Nëse e dinë se do të munden, kjo nuk do të thotë që të mos lajmërohet askush nga mediat se kombëtarja e të rriturave ka ndeshjen e radhës kualifikuese në Evropian ndaj Ukrainës.
Sepse nuk të lenë të tjerët ta fshehësh, qoftë ata që mbajnë mend kalendarin e ndeshjeve, por dhe faqet në internet deri në www.uefa.com. Shkurt kombëtarja e femrave do të luajë ndeshjen e radhës me Ukrainën, ndoshta e dorëzuar ende pa hyrë në fushën e lojës.