Gjergj Vyshka 16.02.2016 10:45
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar dhe ditë më parë, kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra, e cila drejtohet nga Altin Rraklli, të mërkurën do të luajë një ndeshje miqësore me Kosovën.
Një ndeshje, e cila do të zhvillohet në “Elbasan Arena” në ora 14:00, ndërsa në mungesë të lojtareve që luajnë jashtë vendit, kjo përfaqësuese do të jetë me futbollistet e kampionatit.
Ky takim do të zhvillohet pikërisht në një ditë historike, atë të përvjetorit të tetë të pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër ai do të ketë edhe vlera teknike për shkak se do të jetë një test i mirë për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve.
Kjo ndeshje më tepër i shërben ekipit të trajnerit Altin Rraklli, pasi më 4 mars skuadra e tij do të luajë në “Elbasan Arena”, ndeshjen e radhës për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Hollandë 2017” kundër Ukrainës.
Deri më tani kombëtarja kuqezi në këto eliminatore është mundur 1-4 dhe 2-3 nga Greqia, 0-3 nga Rumania dhe 0-6 nga Franca. Ndaj Kosova, edhe pse nuk janë lojtaret që aktivizohen jashtë vendit, duket si test përpara Ukrainës.
Për këtë ndeshje, sektori i garave të Federatës Shqiptare të Futbollit ka shtyrë dhe gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra, që do të zhvillohen të shtunën.