AlbanianSport.com 14/01/2024 21:45
ASNN – Të dielën ka ngritur siparin e edicioni i 15-të i Kupa e Shqipërisë në futboll për femra, teksa janë 4 ndeshjet e para të fazës çerekfinale. Në bazë të formulës së këtij sezoni, skuadrat që u renditën nga vendi i parë, deri në 8-tin në përfundim të fazës së parë të kampionatit, marrin pjesë në fazën çerekfinale të veprimtarisë së dytë të topkëmbës së vajzave në vend. Takimi i parë ishte Tirana-Lushnja dhe vajzat bardheblu triumfuan me rezultatin e thellë 16-0.
Tirana realizoi 6 gola që në pjesën e parë të takimit, ndërsa në atë të dytën shënuan edhe 10 gola të tjerë. Pas kësaj fitoreje, Tirana duket se ka siguruar një biletë për në gjysmëfinale. Vllaznia-Gramshi ishte ndeshja e dytë, që nisi në orën 12:00. Shkodranet fituan me rezultatin 2-0. Golat u realizuan në pjesën e parë dhe kështu edhe vajzat e Vllaznisë kanë hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve. Një rezultat me goleadë mori edhe Apolonia, duke mundur Laçin me shifrat 11-1.
Një takim që foli vetëm për fieraket gjatë gjjthë 90 minutave, teksa vetëm në pjesën e parë realizuan nëntë gola. Edhe vajzat e Partizanit fituan në ndeshjen e parë të fazës çerekfinale për Kupën e Shqipërisë. Vajzat e kuqe mundën 2-0 Kinostudion, me nga një gol për secilën pjesë. Ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra do të luhen të dielën më datë 21 janar, nga ku do të përcaktohen edhe 4 ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni, ndonëse nuk pritet ndonjë përmbysje.
Kupa e Shqipërisë
Futboll – Femra
Çerekfinalet:
Tirana – Lushnja 16-0
Lushnja – Tirana (21 janar 2024)
Vllaznia – Gramshi 2-0
Gramshi – Vllaznia (21 janar 2024)
Apolonia – Laçi 11-1
Laçi – Apolonia (21 janar 2024)
Partizani – Kinostudio 2-0
Kinostudio – Partizani (21 janar 2024)