ASNN – Për Nikolin Lekën, trajnerin e futbollisteve kuqeblu të Vllaznisë, fitorja e titullit është e para në karrierën e tij si trajner. I spikatur në trajnimin e ekipeve zinxhir të Akademisë Vllaznia, ku etapa e fundit ishte ajo me ekipin e Nën-19-vjeçarëve, trajneri Nikolin Leka do të tërhiqte vëmendjen e presidentit të Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija.
Pas largimit jashtë vendit të trajnerit të mëparshëm që e drejtoi Vllazninë në pjesën e parë të sezonit, Selami Pepa, e ofroi Lekën të merrte drejtimin e skuadrës kuqeblu. Dhe duket se presidenti Matija nuk ka gabuar në përzgjedhjen e tij, pasi falë punës serioze dhe shumë të përkushtuar, po ashtu edhe profesionale, trajneri në fjalë Nikolin Leka, jo vetëm që arriti ta mbajë nivelin e skuadrës në majë të futbollit të femrave në Shqipëri, por edhe ta ngrejë edhe më lart.
Në një prononcim të dhënë për “Sport Ekspres”, menjëherë pas kurorëzimit me titullin “kampion”, trajneri Leka bën të ditur se Vllaznia e tij do të rinisë përgatitjet për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Vllaznia ka si objektiv që këtë herë të tentojë kualifikimin në grupe.