AlbanianSport.com 02.03.2017 14:35
ASNN – Arben Ymeraj, ai që ka drejtuar plot sukses futbollin e femrave të Apolonisë, tani e më pas do të ketë statusin “ish-trajner” për këtë ekip. Vendndodhja e tij e re e tij do të jetë SHBA. Por Ymeraj largohet me “kokën pas”, teksa i duhet të lërë në mes një projekt të nisur gati përpara 4 vjetësh. Sepse ishte që ndërmori nismën e vështirë të drejtimit të një ekip femrash në futboll, risi e asaj kohe në Fier.
Fitoi publik, gjithnjë në rritje në shkallët e stadiumit, aq sa rivalizoi dhe tejkaloi numrin e sportdashësve të Apolonisë së djemve. Madje, kënaqësinë që nuk e gjenin te skuadra e Demirajt, e fituan tek Apolonia e futbollit të vajzave. Por Ymeraj largohet i qetë dhe i sigurt në projektin e nisur, sepse drejtimi i kësaj skuadre i është besuar emrit të mirënjohur të futbollit fierak dhe shqiptar.
I është besuar “strategut” të Apolonisë së dikurshme, atij që ka qenë një nga trajnerët dhe profesorët e parë të Arben Ymerajt në fushën e blertë, Vangjel Capos. “Fati e deshi që unë ta mbyll eksperiencën me këtë ekip në Durrës, me të cilin u ndeshëm për herë të parë në Fier më shtator 2013, ku humbëm 0-17, – ka kujtuar Ymeraj. – Sot, pas 3 vjetësh e disa muajsh, ne kthehemi me fitore, ndonëse minimale, 0-1.”
“Së bashku me këto vajza, ne krijuam dhe i dhamë Apolonisë shumë, i dhamë madje të paarritshmen në kaq pak kohë: vendin e dytë në kampionat dhe finalen e Kupës së Shqipërisë, – ka vijuar trajneri. – Unë u uroj këtyre vajzave fierake që në të ardhmen të shpallen edhe “kampione”, duke ruajtur kujtimet më të bukura nga puna jonë në këto pak vite!”.
Kështu, “nxënësi” ka lëshuar “dorashkën” e sfidës për “profesorin” Capo, i cili ka bërë gati gjithë karrierën e tij për sfidat e reja të futbollit femëror në Fier. Ka qenë vetë Ymeraj, që ka propozuar që të jetë Capo trajneri i ri i kësaj skuadre, duke u shprehu se ka besim të plotë se do të bëjë më të mirën me Apoloninë”.