Gjergj Vyshka 15.09.2016 09:45
11 gola të shënuar nga Skocia dhe për kombëtaren e Nën-19-vjeçareve të Shqipërisë në futboll për femra, ka ardhur shkatërrimi që në ditën e parë të Eliminatoreve për Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe. Edhe pse luhet në Tiranë e Durrës, kombëtarja e Nën-19-vjeçareve të Shqipërisë për femra ende nuk kënaq askënd. Që nga pjesëmarrja e saj e parë më 2013-ën e deri më sot në këto eliminatore ka regjistruar vetëm humbje.
Në 9 ndeshje, 9 humbje, ndërsa golaverazhi është 4-70. Që do të thotë se jemi mundur nga Polonia (0-9 më 2013-ën dhe 0-5 më 2014-ën), nga Italia (0-4 më 2013-ën), nga Sllovenia (0-7 më 2013-ën), nga Skocia (0-8 më 2014-ën, 2-4 më 2015-ën dhe 0-11 më 2016-ën), nga Norvegjia (0-11 më 2014-ën), nga Austria (1-8 më 2015-ën) dhe nga Ukraina (1-3 më 2015-ën).
Dhe nëse kemi këto rezultate negative kjo nuk është faji i këtij brezi, por faji që krijimi i kombëtares së Nën-19-vjeçareve ka ardhur në Shqipëri pa pasur kampionat. Vajza të grumbulluara sa andej-këndej në Shqipëri e në të gjitha trojet shqipfolëse disa prej të cilave luajnë në ekipet e para, por që ende nuk kanë përvojën për të përballuar veprimtaritë ndërkombëtare.
Dhe përfundimi është i shkruar ende pa hyrë në fushë. Ndaj nuk kemi se çfarë presim vetëm një “thes me gola”, sepse jemi ende të brishtë në futbollin e femrave.