AlbanianSport.com 22/01/2024 17:05
ASNN – Tirana, Apolonia dhe Partizani janë 3 prej ekipeve gjysmëfinaliste në veprimtarisë së dytë të futbollit të femrave në vend, Kupës së Shqipërisë, në këtë edicion të 15-të. Tirana kishte mbyllur thuajse gjithçka që në takimin e parë, pas fitores 16-0 ndaj Lushnjes. Sakaq, sfida e dytë mes myzeqareve dhe kryerqytetaseve ishte mjaft interesante, duke prodhuar jo vetëm gola, por edhe emocione.
Vajzat bardheblu fituan me rezultatin 4-3, duke kaluar kështu në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Pas triumfit të parë me goleadë, Apolonia bëri detyrën edhe dje, duke mundur Laçin me rezultatin 8-1 dhe duke kaluar kështu në gjysmëfinale. Në derbin kryeqytetas, Partizani nuk e diskutoi kualifikimin për në gjysmëfinale, duke mposhtur Kinostudion me shifrat 8-0.
Ndërkaq, ditën e diel ishte planifikuar të luhej edhe sfida Gramshi-Vllaznia, një ndeshje që nuk u zhvillua sepse ekipi shkodran nuk u paraqit në stadium. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) do të marrë vendimin për këtë ndeshje, nga ku do të dalë edhe gjysmëfinalisti i 4-t. Sakaq, sipas skemës së përcaktuar nga Departamenti i Garave në FSHF, janë njohur edhe çiftet gjysmëfinaliste të edicionit të 15-të të Kupës së Shqipërisë.
Kupa e Shqipërisë
Futboll – Femra
Çerekfinalet:
(14 janar 2024 – 21 janar 2024)
Tirana – Lushnja 16-0
Lushnja – Tirana 3-4
Vllaznia – Gramshi 2-0
Gramshi – Vllaznia (Nuk u zhvillua)
Apolonia – Laçi 11-1
Laçi – Apolonia 1-8
Partizani – Kinostudio 2-0
Kinostudio – Partizani 0-8
Gjysmëfinalet:
Tirana – Partizani
Apolonia – Gramshi/Vllaznia