AlbanianSport.com 20/09/2021 17:55
ASNN – Pas barazimit 1-1 me Kosovën në takimin e parë të Eliminatoreve, vajzat kuqezi në sprovën e dytë. Shqipëria e futbollit të femrave do të vijojë të martën rrugëtimin e saj në fushatën eliminatore të Kampionatit Botëror të 2023-shit, teska do të luajë ndeshjen e dytë, atë ndaj Belgjikës Siç dihet, dy përfaqësueset shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, shorti i ka vendosur në grupin F të këtyre Eliminatoreve, së bashku me Norvegjinë, Belgjikën, Poloninë dhe Armeninë.
Në fakt, aventura e vajzave kuqezi në këto eliminatore ka nisur të enjten në mbrëmje dhe sfida e parë e vajzave kuqezi ka qenë derbi gjithëshqiptar me Kosovës që është zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”. Në fakt, fati i asaj ndeshjeje, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, është vendosur nga dy gola, nga një për secilën pjesë loje për secilën skuadër.
Vajzat kuqezi arrijnë 3 minuta para fundit të pjesës së parë të fitojnë një 11-metërsh, që shndërrohet në gol nga Megi Doçi. Pjesa e dytë do të shohë Kosovën më kërkuese dhe ajo do të arrijë ta gjejë golin e barazimit 18 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Valentina Limani shfrytëzon shpërqendrimin e mbrojtjes kuqezi dhe përshëndet rrjetën. Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, sidomos të vajzave kuqezi, minutat e mbetura dhe ato shtesë nuk do të sjellin gol.
Dhe Shqipëria dhe Kosova ndanë nga një pikë në nisje të këtyre Eliminatoreve. Në takimet e tjera të para, Norvegjia ka shpartalluar Armeninë 10-0, ndërsa Polonia dhe Belgjika kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë midis tyre. Të martën, Shqipëria përballet në Belgjikë me përfaqësuesen vendase, në takimin që nis në ora 20:30, kurse më herët, duke nisur nga ora 19:00, Kosova pret në Prishtinë Norvegjinë.
Vajzat kuqezi janë nisur të hënën në mëngjes drejt Belgjikës, ku edhe kanë zhvilluar pasdite seancën e fundit stërvitore në përgatitje për ndeshjen e së martës.