Gjergj Vyshka 13.12.2016 09:35
Kinostudio e ka vazhduar goleadën e kampionatit edhe në miqësoren e zhvilluar dje ndaj shqiptareve nga Kosova të KFF Bazelit 2015. Vetëm të shtunën, në kuadrin e javës së 8-të të Kampionatit të 8-të Kombëtar të Futbollit të Femrave, Kinostudio kishte mundur 7-0 Akademinë “Ajax Albania Schools” të Shkodrës. Kurse dje ka fituar 5-2 me kosovaret e KFF Bazel 2015.
Skuadra e drejtuar nga Gëzim Gjonpalaj, jo vetëm për pesë golat e shënuar, por dhe për nivelin e lojës së shfaqur ka qenë shumë më lart se skuadra kosovare e Bazelit. Serinë e golave ka çelur golashënuesja më e mirë e kampionatit shqiptar, Begallo, e cila ka realizuar në minutën e 10-të. Pas saj vijnë kosovarja Cyme Lulaj dhe Lufo, të cilat plotësuan tritolëshin e fraksionit të parë të lojës.
Në fraksionin e dytë është Rizallari, e futur në fillimin e saj, që shënon golin e 4-t. Dhe serinë e golave për Kinostudion e ka mbyllur kapitenja Pocesta, që shënon dhe golin e 5-të. Skuadra kosovare shënon dy gola me anë të kapitenes Gavazi me 11-metërsh dhe me Hysenin e në përfundim të kësaj miqësoreje është arritur rezultati 5-2 për Kinostudion.
Kjo e fundi ka dhënë kështu një provë të mirë në prag të javës së fundit të fazës së parë, të cilën e kryeson Vllaznia me tetë fitore në tetë ndeshje dhe me një golaverazh për t’u pasur zili, 72-0.
Kinostudio – KFF Bazel 2015 5-2
Shënuese: Begallo 10’, Lulaj 28’, Lufo 44’, Rizallari 76’,
Pocesta 88’ / Gavazi 85’(11-m.), Hyseni 90’
Kinostudio: Noka, Kasa, Jova, Alia, Pocesta, Guta, Cana (Rizallari 46’), Lufo, Lulaj, Bajrakurtaj, Begallo. Trajner: G. Gjonpalaj.
KFF Bazel 2015: Hasani, Podvorica, Gavazi, Kovaçi, Shorra, E. Leka, L. Leka, B. Berisha, Hyseni, Baftiu, Bajrami. Trajner: S. Bunjaku
Gjyqtarët: K. Çerpja, E. Hysaj, K. Myrtollari (Tiranë)